Kryeministri bullgar Kiril Petkov dhe ai maqedonas Dimitar Kovaçevski - Foto: Qeveria maqedonase

Osmani: Disa zyrtarë dyshohen për veprimtari spiunimi në Bullgari

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha të dielën më 3 prill se janë zbuluar disa persona të institucioneve maqedonase që, sipas tij kanë kryer veprimtari spiunimi tek autoritetet bullgare, duke i demotivuar që të mos punojnë për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

Deklarata e Osmanit vjen një ditë pas asaj të kryeministrit bullgar, Kiril Petkov i cili gjithashtu tha se edhe në Bullgari ka persona të dyshuar me orientime pro ruse që punojnë për prishjen e raporteve me Maqedoninë e Veriut.

Shefi i diplomacisë maqedonase, Bujar Osmani tha se personat e dyshuar për propagandë kundër zgjidhjes së kontestit e kanë ndërlidhur gjoja me mungesën e stabilitetit politik dhe zgjedhjet e mundshme parlamentare.

“Sa më shumë që po rriten mundësitë për gjetjen e një zgjidhjeje për të përshpejtuar rrugën evropiane, aq më tepër do të ketë njerëz të shqetësuar që kanë punuar gjatë gjithë kësaj kohe për të penguar që kjo perspektivë të ndodhë. Këtu do të marr një shembull konkret, këtë javë disa njerëz nga Maqedonia e Veriut kanë telefonuar Bullgarinë duke thënë se i gjithë angazhimi është i panevojshëm sepse këtu do të ketë zgjedhje të shpejta, se do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe se nuk mund të arrihet zgjidhje”, tha Osmani.

Sipas tij, “përpjekje të tilla janë nga njerëz në institucione që janë në linjë me komentet e kryeministrit bullgar Petkov, se ka njerëz që do të përpiqen ta mbajnë të hapur çështjen me Bullgarinë, ta mbajnë të bllokuar procesin e integrimit evropian, në mënyrë që ky rajon të jetë gjithmonë një zonë që dikush ta përdorë atë për të arritur qëllimet e veta”.

Megjithatë, Osmnani nuk ka dhënë detaje se kush janë këtë njerëz që kanë “spiunuar” në Sofje apo se çfarë postesh mbajnë në institucionet e Maqedoninë së Veriut.

Osmani tha se “rajoni, shtetet anëtare të BE-së, BE-ja, Aleanca transatlantike, kanë nevojë për lidership strategjik në këtë periudhë në mënyrë që rajoni të konsolidojë sigurinë, politikisht dhe ekonomikisht”.

Kryeministri bullgar Kiril Petkov tha të shtunën se spiunët e dyshuar rusë në institucionet bullgare po punojnë për të prishur marrëdhëniet mes Sofjes dhe Shkupit.

Për veprimtari spiunimi Sofja dyshon tek tre bullgarë, dy prej të cilëve tyre punonin në Agjencinë Shtetërore të Sigurisë Kombëtare dhe i treti në një ministri.

Autoritetet bullgare nuk bëjnë të ditur as identitetin e as veprimtarinë e tyre të “spiunimit”.

Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov, më 28 mars thanë se nuk përjashtohet mundësia që dy vendet së shpejti të zgjidhin kontestin për gjuhën dhe identitetin maqedonas si dhe të kaluarën historike mes dy vendeve.

Pamje nga takimi mes grupeve punuese të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Janar 2022.

Një marrëveshje e mundshme do të çonte në heqjen e vetos bullgare të vendosur në nëntor të vitit 2020 me çka Maqedonia e Veriut do të niste bisedimet e anëtarësimit me BE-në./REL