Foto: ZPRK

Osmani dhe Xhaçka flasin për fuqizimin e koordinimit në politikën e jashtme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka.

Sipas njoftimit për media, gjatë takimit Osmani ka potencuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në funksion të lehtësimit të jetës së qytetarëve të të dy shteteve.

Presidentja Osmani dhe ministrja Xhaçka kanë diskutuar fuqizimin e koordinimit në politikën e jashtme në funksion të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Për këtë çështje, presidentja ka theksuar vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për rrugën euroatlantike, si dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

“Tutje, bashkëbisedueset kanë folur edhe për situatën e sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë. Presidentja Osmani ka thënë se institucionet e Kosovës vazhdojnë të jenë plotësisht të përkushtuara për paqe, siguri dhe sundim të ligjit në gjithë territorin e Republikës. Por, sipas presidentes Osmani, përpjekjet e Serbisë janë të vazhdueshme për destabilizimin e Kosovës, duke përdorur strukturat e saj ilegale në veri”, njofton më tej Presidenca.

Në njoftim bëhet e ditur se Osmani ka thënë se Kosova vazhdon të luajë rol konstruktiv në dialogun me Serbinë, i cili duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke.

Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë do të mbajnë një mbledhje të përbashkët në Tiranë.

Mbledhja e përbashkët e kuvendarëve nga Kosova e Shqipëria do të mbahet të dielën më 27 nëntor në shënim të 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.