Osmani dhe Kurti vendosin lule për të rënët e familjes Jashari

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti sot kanë vendosur lule në Kullën e familjes Jashari në Prekaz të Skenderajt.

Kryeparlamentarja Osmani përmes një publikimi në Facebook ka përmendur me emra pjesëtarët  e familjes Jashari që u vranë nga forcat serbe.

“Nga një lule sot për bacë Shabanin, Ademin, Hamzën, Adilen, Afeten, Afijen, Ajvazin, Aliun, Avdullahun , Bahtijen, Beqirin, Besimin, Blerimin, Blerinën, Bujarin, Elfijen, Elhemen, Faikun, Fatimen, Feriden, Fitimin, Fatimen, Hajrijen, Blerimin, Hajzerin, Halilin, Halitin, Hamdiun, Hamiden, Hamitin, Hanifen, Hidajeten, Igballin, Igballen, Kajtazin, Kushtrimin, Lirien, Mihrijen, Murtezin, Nazmiun, Qazimin, Qerimin, Ramizin, Sabrijen, Sadikun, Salën, Selveten, Shahinin, Sherifin, Sinanin, Smajlin, Ukshinin, Valdeten, loken Zahide dhe Zarifen, si dhe Osman Gecin, Isak Halilin, Fatime Bazajn e Smajl Bazajn”, ka shkruar ajo.

Osmani ka shtuar se secila lule e vendosur sot është për jetët e këputura para kohe, por që u shndërruan në lulet e lirisë.

“Themelet e saj janë të lidhura me kujtimin për ta e për rezistencën e atyre viteve”, është shprehur ajo.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti gjithashtu ka kujtuar të rënët e familjes Jashari.

“Vendosëm lule të freskëta te shtëpia aty ku janë vrarë Ademi e Hamza. Sot është edhe Dita e Mësuesit, ne të gjithë e dimë se baca Shaban ka qenë mësues popullor edhe i Prekazit. Sot ne kujtojmë në veçanti edhe atë në një ditë si kjo”, tha ai.

Në Kosovë sot po shënohet dita e tretë e 22 vjetorit të Epopesë së UÇK-së. 5, 6 dhe 7 marsi shënojnë ditët e rrethimit të kullave të Jasharajve ku u vranë 59 persona ndërsa mbijetoi e vetme Besarta Jashari.