Takimi Osmani, Kurti dhe Blinken në SHBA, 27 prill 2022 Foto: Zyra e Presidentes Vjosa Osmani

Osmani dhe Kurti takojnë Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë takuar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.

KALLXO.com e ka pyetur Kupinën se çfarë është diskutuar në takim dhe është në pritje të përgjigjes.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë udhëtuar në SHBA për të marrë pjesë në varrimin e ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.

Mikja e madhe e Kosovës, Madeleine Albright, ka vdekur më 23 mars.

Osmani dhe Kurti kanë udhëtuar në SHBA me ftesë të familjes Albright.

Më 25 prill ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, dhe zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar, vizituan Kosovën.

Ndihmës-sekretarja Donfried tha se në mënyrë urgjente Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në dialog.

Ajo theksoi se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e orientuar në njohje reciproke do të kërcënonte mundësinë e Rusisë për të nxitur kaos.

Osmani dhe Kurti kanë udhëtuar për në ShBA