Osmani dhe Kurti: Serbia kreu gjenocid në Kosovë

Sot bëhen 24 vjet nga masakra e Izbicës, ku më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani  dhe kryeministri Albin Kurti, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Izbicë, Skenderaj.

E para e vendit, tha se Masakra e Izbicës ka qenë njëra ndër masakrat më të tmerrshme të shtetit gjenocidal të Serbisë ndaj popullit shqiptar. “Krimi nuk përfundoi me vrasjet dhe masakrimin e qytetarëve tanë në Izbicë, por u dyfishuar atëherë kur forcat serbe zhvarrosën të vrarët dhe i rivarrosën ata në varreza masive nëpër vende të ndryshme në Serbi dhe në Kosovë”, tha ajo, raporton RTKlive. Sipas saj liria e Kosovës ka ardhur falë luftës së UCK-së, martirëve dhe sakrificës së popullit të Kosovës.

Kurse kryeministri Albin Kurti, tha se sot nderojmë dhe përkujtojmë të vrarët nga regjimi fashist dhe gjenocidal i Millosheviqit. “Masakra e Izbicës është dëshmi i gjenocidit të Serbisë”, tha ai.

“Bashkë me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani Sadriu dhe me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, jemi këtu sot, që të nderojmë dhe të përkujtojmë të vrarët nga regjimi fashist e gjenocidal i Millosheviqit në Izbicë, 147 sosh gjithsej, 6 janë ende të pagjetur. Siç e tha edhe Presidentja, ata janë rrëmbyer si njerëz, si shqiptarë të gjallë e më pastaj pas pushkatimit u janë rrëmbyer edhe kufomat, janë dërguar në Serbi dhe në fund janë zhvarrosur prej atje, por jo që të gjithë meqenëse 6 ende nuk dihet se ku janë në Petrovo Sello, dhe i kanë sjellë këtu, në atdheun e tyre, në vendlindjen e tyre. Sot është një ditë kur e nderojmë edhe kujtimin e Mustafë Dragajt, i mbijetuar i masakrës, i cili pat dëshmuar kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës dhe i cili fatkeqësisht ndërroi jetë në shtatorin e vitit të kaluar:, tha ai.

Sipas tij Masakra e Izbicës ndodhet në aktakuzat e gjashtë krerëve të lartë shtetërorë politikë, policorë e ushtarakë të Serbisë dhe është dëshmi e gjenocidit të Serbisë, të cilin ne nuk e harrojmë kurrë dhe për drejtësinë, për viktimat dhe familjet, që janë gjithashtu viktima dhe i gjithë populli, do të angazhohemi përjetë, vazhdimisht edhe si institucione edhe si qytetarë.

Ndryshe Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.

Sot 24 vjet pas këtij krimi askush nga autorët dhe ekzekutuesit serbë nuk doli para drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare./rtklive