Osmani dhe Kurti pritet të takohen me presidentin Macron

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, sonte pritet ta takojnë presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Kështu kanë bërë të ditur burime të KALLXO.com, brenda Presidencës dhe Qeverisë së Kosovës.

Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti janë duke qëndruar në Paris në Forumin e Paqes.

Shkuarjen në Paris e ka konfirmuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Mediat serbe dje raportuan se presidenti serb Vuçiq ka thënë se do të jetë në Paris dhe do të takohet me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Edicioni i pestë i Forumit të Paqes në Paris do të mbledhë liderë nga mbarë bota, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare, bizneseve, bankave zhvillimore për të diskutuar eliminimin e krizave të shumëfishta globale, duke promovuar forcimin e bashkëpunimit dhe multilateralizmit.