Osmani dhe Konjufca takohen me senatoren amerikane Joni Ernst

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot janë takuar me senatoren republikane nga Iowa, Joni Ernst.

Sipas një komunikate për media, senatorja Ernst ka përgëzuar krye kuvendarin Konjufca për marrjen e detyrës së re dhe ka shprehur përkrahjen e ShBA-ve për Kosovën.

Ndërsa Konjufca shprehu falënderime dhe  konsideratë të lartë për kontributin e ShBA-ve dhe të Senatores Ernst, si përkrahëse e fuqishme e Kosovës, veçanërisht për transformimin e FSK-së në një forcë të mbrojtjes territoriale të ndërveprueshme.

Kurse presidentja Osmani e falënderoi senatoren Ernst për kontributin e saj në promovimin e shtetësisë së Kosovës dhe u shpreh shumë e lumtur që dy vendet tona po e thellojnë dita-ditës bashkëpunimin në shumë fusha.

“Përkrahja që shteti i Iowa-s, Garda Nacionale e këtij shteti i ka dhënë Forcës së Sigurisë së Kosovës është e jashtëzakonshme”, tha Presidentja Osmani. “Falë mbështetjes suaj, FSK-ja sot po shndërrohet në forcë të armatosur, të përgatitur profesionalisht, e gatshme për t’i shërbyer ruajtjes së paqes”, citohet të ketë thënë Osmani.