Osmani dhe Gërvalla vazhdojnë takimet me liderë botërorë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja e Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla, në vazhdën e takimeve me liderë botërorë u takuan sot në Nju Jork edhe me presidentin e Guajanës, Mohamed Irfaan Ali dhe ministrin e Jashtëm të Irlandës, Simon Coveney, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Në takimin me presidentin Ali, presidentja Osmani ofroi pasqyrë të zhvillimeve politike dhe ekonomike në Kosovë e rajon dhe i kërkoi Guajanës përkrahje për lobim për shtetet e saj fqinje në Amerikën Qendrore e Jugore për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Ajo gjithashtu theksoi se dialogu me Serbinë ka kuptim vetëm nëse në fund pason njohja e ndërsjellë, në kufijtë aktual dhe sipas rendit juridik aktual. Ministrja Gërvalla theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në arsim, turizëm, dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

Ndërsa presidenti Ali, theksoi gatishmërinë e institucioneve të Guajanës që t’i intensifikojnë marrëdhëniet mes dy shteteve dhe e ritheksoi mbështetjen e tij për procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Në takimin me ministrin Coveney, presidentja falënderoi atë për përkrahjen e vazhdueshme dhënë Kosovës, duke e quajtur suksesin e Kosovës sukses të përbashkët të popullit dhe aleatëve të saj. Ajo po ashtu ka theksuar se ka shpresë që Irlanda do të vazhdojë të jetë zë përkrahës për Kosovën në institucione ndërkombëtare dhe do të ndihmojë në perspektivën e saj euroatlantike. Presidentja e njoftoi ministrin edhe për dialogun me Serbinë duke theksuar se Kosova ka qenë vazhdimisht palë konstruktive dhe se ka dhënë propozime konstruktive për shumë çështje të ndryshme.

Ndërsa ministrja Gërvalla foli për rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në forume ndërkombëtare dhe kërkoi përkrahjen e Irlandës për këto çështje.