Osmani dhe Gërvalla takohen me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë zhvilluar takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO së, Jens Stoltenberg.

Osmani tha se synim kryesor i Kosovës mbetet anëtarësimi sa më i shpejtë në NATO.

“Ne jemi krenarë që ushtarët tanë po marrin pjesë së bashku me ushtarët e Forcave të Armatosura të SHBA-së në një mision të përbashkët ushtarak në Kuvajt. Ky mision, i pari i këtij lloji për Kosovën, është dëshmi e gatishmërisë sonë për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale”, tha Osmani.

Në njoftimin e presidencës thuhet se Osmani ka informuar Sekretarin për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë.

“Ajo theksoi se Republika e Kosovës i ka zbatuar marrëveshjet e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe i dënoi kërcënimet dhe veprimet e Serbisë dhe të strukturave ilegale të saj në Kosovë”, ka thënë presidentja.

Ndërkaq, sekretari i NATO–s, Jens Stoltenberg, ka falënderuar Kosovën për strehimin e përkohshëm të refugjatëve afganë.