Foto: Vjosa Osmani, Twitter

Osmani dhe Abazoviq takohen në Forumin Diplomatik në Turqi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antali – ADF, është takuar me mandatarin për Qeverinë e re të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Osmani ka thënë se në takimin me Abazoviq kanë diskutuar për forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Diskutuam për rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve tona tashmë të shkëlqyera fqinjësore dhe potencialin e jashtëzakonshëm për të avancuar më tej bashkëpunimin Kosovë- Mal i zi, në dobi të popullit tone”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Presidentja Osmani sot është takuar edhe me anëtarin e Kryesisë se Bosnjës, Shefik Džaferovic.

Osmani ka thënë se me anëtarin e Kryesisë se Bosnjës, Shefik Džaferovic kanë zhvilluar një bisedë miqësore dhe të thelluar.

“Nënvizoi mbështetjen e Kosovës për integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjës dhe angazhimin tonë për të rritur bashkëpunimin për agjendën tonë të përbashkët euroatlantike”, ka shkruar Osmani.

Në Forumin e Diplomacisë në Antali – ADF po marrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.