Osmani dekoron post mortem 18 profesionistë shëndetësorë që vdiqën nga COVID-19

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar post mortem me Medajlen Presidenciale të Meritave 18 profesionistë shëndetësorë, të cilët kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19.

Osmani ka thënë se kjo është mirënjohje e të gjithë qytetarëve ndaj atyre që duke respektuar betimin e Hipokratit, bënë të pamundshmen në trajtimin e pacientëve të prekur nga COVID-19.

“Përkushtimi i tyre ndaj vlerave humane dhe ndaj profesionit të tyre, si dhe sakrifica e tyre sublime në mbrojtje të shëndetit të pacientëve të tyre, është shenjë e vetëdijes më të lartë profesionale dhe njerëzore”, ka thënë në ceremoni Vjosa Osmani.