
Osmani dekoron me Medalje Presidenciale Ushtarake komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të SHBA-ve, të prirë nga Gjeneralmajor Benjamin J.Correl, komandant i Gardës Kombëtare të Iowa-s, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të lartë të mbrojtjes.
Me këtë rast, Osmani ka falënderuar gjeneralin Correl për angazhimin e tij në fushën e bashkëpunimit bilateral ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake.
“Rezultatet tua në fushën e bashkëpunimit janë të dukshme dhe rrjedhojë e këtij partneriteti me Gardës Kombëtare të Iowa-s. Falënderoj shtetin e Iowa-s për qindra burra dhe gra të Gardës Kombëtare me uniformë, të cilët kanë shërbyer në Kosovë gjatë viteve në kuadër të KFOR-it, sikurse të gjithë ata që janë pjesë e programit të partneritetit” – thuhet në njoftimin e presidencës.
Ndërkaq, në komunikatë thuhet që gjeneralmajori Correl tha se ndihet i nderuar me dekoratën e presidentes Osmani, e cila sipas tij do të shërbejë si një kujtim i çmuar i partneritetit me ushtrinë dhe shtetin e Kosovës.
Gjeneralmajor Correl ka potencuar se do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në çfarëdo kapaciteti që do të jetë i angazhuar.