Osmani deklarohet për bartjen e shamisë në shkolla

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar në lidhje me nismën për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për bartjen e shamisë në shkolla.

Osmani ka thënë se Kushtetuta e Kosovës duhet të jetë orientim parësor i institucioneve të vendit për çdo çështje që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat e njeriut.

“Kushtetuta e Kosovës duhet të jetë dhe vazhdon të jetë orientim parësor i institucioneve të Kosovës për çdo çështje që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Kjo Kushtetutë ka përcaktuar një parim themelor që është parim fundamental mbi të cilin edhe është ndërtuar sistemi ynë juridik-kushtetues, ai është parimi i laicitetit. Prandaj, është tejet me rëndësi që në institucionet publike të Kosovës të respektohet ky parim”- ka deklaruar Osmani.

Osmani ka potencuar se kushdo që mendon se i cenohet një e drejtë, ato çështje mund t’i adresojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

“Dua të potencoj faktin që për dallim nga shumë kushtetuta anë e kënd botës që nuk ja lejojnë individit të drejtën që ta dërgojë një çështje të lirive dhe të drejtave të veta deri në Gjykatën Kushtetuese, tek ne ekziston kjo mundësi, prandaj nëqoftëse dikush mendon që po i cenohet një e drejtë, ekzistojnë rrugët ligjore, administrative e kushtetuese që të adresojnë këtë çështje në këto instanca, deri tek Gjykata Kushtetuese” – tha Osmani.

“Si presidente e vendit do të vazhdojë të kërkojë që të inspektohen parimet mbi të cilat është ndërtuar jo vetëm Kushtetuta jonë por edhe shoqëria jonë si progresiste, që i shikon parimet dhe vlerat euroatlantike si fundament të saj” – shtoi ajo.

Për propozimin që mosha 16 vjet të jetë pragu për bartjen e shamisë, Osmani ka thënë se kjo çështje lidhet me të drejtën e votës.

“Sa i përket propozimit që mosha të zbres tek 16 vjet, besoj që kjo çështje lidhet me të drejtën e votës, atëherë do të kërkoj ndryshim të Kushtetutës sepse siç e dini ky prag është përcaktuar me Kushtetutë. Për çdo ndryshim legjislativ e kushtetues do të jetë përfundimisht vullnet i deputetëve dhe unë asnjëher sikurse deri tani nuk e kam imponuar vullnetin tim mbi deputetët por siç e thash është shumë me rëndësi  që ky bazament i Kushtetutës të respektohet” – theksoi presidentja Osmani.

Në rrjete sociale është shpërndarë thirrja për ndryshimin e Udhëzimit Administrative për bartjen e shamisë në shkolla.

Javën e kaluar nga Ministria e Arsimit kanë thënë se “neni 3, paragrafi 1.13 i Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla, kjo sepse shkolla jonë është sekulare. Krahas shtetit sekular, e drejta për shkollim nuk mund t’i mohohet askujt, nga askush”.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në konferencë për media ka thënë se janë duke e përcjellë me vëmendje ndryshimin e UA.

“Do ta kemi projektligjin për komunitetet fetare. Qëndrimi im është që nuk duhet të ketë ndajmë të shamisë dhe të elementeve tjera fetare në jetën e qytetarëve. Mosha 16 vjeçare është pragu”, ka thënë Kurti.

Në lidhje me këtë çështje është hapur një peticion elektronik.

Organizatorët e peticionit për ndryshimin e Udhëzimit Administrtiv për lejimin e bartjes së shamisë në shkolla kanë njoftuar se janë mbedhur nënshkrimet e nevojshme.

Njoftimin e ka bërë Liridon Kurti, organizator i kampanjës  “#ndryshojeni_ua_për_shaminë”.