Osmani bisedon me presidentin Biden gjatë ceremonisë e varrimit të mbretëreshës Elizabeth II

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se sot gjatë funeralit shtetëror të mbretëreshës Elizabeth II, është takuar me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden.

Osmani ka thënë se gjatë bisedës presidenti Biden shprehu mbështetjen e tij për Kosovën.

“Nder i veçantë të bisedoja me Presidentin Biden sot gjatë Funeralit Shtetëror të Mbretëreshës Elizabeth II. Presidenti Biden shprehu mbështetjen e tij të palëkundur për vendin tonë dhe në emër të popullit të Kosovës i shpreha mirënjohjen dhe përkushtimin tonë për partneritetin e palëkundur në mes të Kosovës dhe SHBA-ve” – ka shkruar presidentja Osmani në rrjetin social “Facebook”.

Presidentja Osmani është duke qëndruar në Britani të Madhe ku po merr pjesë në ceremoninë e varrimit të mbretëreshës Elizabeth II.

Mbretëresha Elizabeth II është varrosur sot në Londër në një ceremoni shtetërore, ngjarje që po vlerësohet si operacion i “paprecedent” i sigurisë në kryeqytetin britanik.

Mbretëresha Elizabeth II vdiq më 8 shtator në moshën 96-vjeçare në Kështjellën Balmoral të Skocisë. Ajo mbretëroi për 70 vjet – më shumë se çdo monark tjetër i Mbretërisë së Bashkuar.

Fronin e ka trashëguar djali i saj i madh, Charles, i cili tani njihet me emrin Mbreti Charles III.