Vjosa Osmani - Foto: KALLXO.com

Osmani: Beteja me COVID-19 s’ka përfunduar, të mobilizohemi për të rritur shpresën

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani sonte u shpreh se beteja me Covid-19 s’ka përfunduar dhe se dhimbja e secilit nga ne dita-ditës mund të rritet, nëse nuk tregohet kujdesi i duhur.

“Beteja jonë me COVID-19 nuk ka përfunduar dhe këta muaj rritet rreziku siç po dëshmohet me rritjen e numrave të të infektuarve. Por, siç kam theksuar gjithmonë, prapa secilit nga këta numra qëndron një histori, një familje, dhimbje e frikë, përballje me shumë sfida. Prandaj, kujdesi ynë ndaj shëndetit tani është edhe më i rëndësishëm. Dhimbja jonë mund të rritet ditë pas dite, ashtu siç po rriten numrat, në qoftë se nuk tregojmë kujdes të shtuar.”, shkroi Osmani në Facebook.

Kryeparlamentarja shtoi se nevojitet mobilizim për të zvogëluar dhimbjen dhe rritur shpresën.

“Pra, ta mbajmë maskën, higjienën e distancën fizike edhe atëherë kur ndihemi të lodhur nga e gjithë kjo që po ndodhë, e edhe atëherë kur na mungojnë përqafimet e më të dashurve. COVID-19 është kudo përreth nesh. Kemi nevojë të mobilizohemi me një zë që ta zvogëlojmë dhimbjen, t’i zvogëlojmë vuajtjet dhe ta rrisim shpresën!”, shtoi më tutje Osmani.

Numri total i rasteve pozitive me Covid-19 në Kosovë është 16.754 raste nga 79.189 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 652 raste të vdekjes./21Media