Vjosa Osmani, Foto: Kuvendi i Kosoves

Osmani bën thirrje që të votohet projektligji Anti-Covid

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në seancën e sotme plenare të Kuvendit ka shpalosur disa nga arsyet për votim të ligjit për menaxhim të pandemisë që e kishte propozuar para disa muajsh.

Osmani tha se ky ligj ka mbetur peng i politikave deri tani.

“Për arsye të ndryshme është zvarritur ky ligj që nga marsi përkundër faktit që ka qenë kërkesë e qartë e gjykatës kushtetuese dhe pastaj që nga 15 prilli kur edhe zyrtarisht është vendosur që të procedohet me këtë nismë.

Ky ligj ka mbetur peng i politikave dhe shpresoj që tash e tutje të japim një shembull ku shëndeti vihet para politikave,” tha Osmani.

Sipas Osmanit ky ligj ka për qëllim të mbrojë shëndetin publik si dhe u jep mundësi organeve juridike që të kryejnë punën pa e shkelur Kushtetutën.

“Ky ligj që e kemi inicuar bashkë me 50 deputetë të tjerë ka për qëllim që të mbrojë shëndetin publik, që të ofrojë mundësi për organet ligj zbatuese që të kryejnë punën e tyre pa e shkelur kushtetutën si dhe të jetë përgjigje ndaj obligimeve që rrjedhin nga gjykata kushtetuese përmes dy aktgjykimeve të saj.

Gjykata sic e dini në mënyrë eksplicite ka thënë që është detyrë e kuvendit që qoftë përmes ndryshimit të legjislacionit ose përmes miratimit të një ligji të ri të përcaktojë mekanizmat ligjor në mënyrë që autoritetet përkatëse  përfshirë Ministrine e Shëndetësisë dhe qeverinë në tërësi të ndërmarrin masat e duhura për luftimin e pandemisë,” shtoi tutje Osmani.

Osmani gjithashtu tha se nëpërmjet këtij ligji duhet të parashihen gjoba për personat që pozitën e tyre në shoqëri e keqpërdorin për të shpërndarë dezinformata se nuk ka virus.