Osmani bën homazhe në 43-vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës

Me rastin e 43-vjetorit të vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë homazhe në Dubovik e Prishtinë.

Sipas Osmanit, vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës ishte një përpjekje për t’i shuar zërat e tyre të fuqishëm të rezistencës kombëtare.

“Sot, sikurse çdo vit, në Dubovik për t’i nderuar patriotët Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, të cilët 43 vjet më parë, së bashku me Kadri Zekën, u vranë pabesisht në një atentat në Gjermani. Vrasja e tyre ishte një përpjekje për t’i shuar këta zëra të fuqishëm të kauzës dhe rezistencës sonë kombëtare. Por, historia e ka dëshmuar se e vërteta dhe idealet nuk mund të vriten asnjëherë. Lavdi jetës dhe veprës së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës!” – ka deklaruar Osmani, më 17.01.2025.

Presidentja Vjosa Osmani, 17.01.2025, Foto: Presidenca e Kosovës

Vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka u vranë në një atentat, më 17.01.1982, në Untergrupenbach në Gjermani.

Pavarësisht se nuk pati të dënuar për atentatin ndaj veprimtarëve Gërvalla dhe Zekës, dyshime për vrasjen u hodhën mbi Shërbimin Sekret të ish-Jugosllavisë – UDB.