Osmani: BE-ja duhet të jetë e qartë me Serbinë, nuk mund të luhet me dy karta

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë të përbashkët me homologun e saj nga Austria, Alexander Van der Bellen është deklaruar rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Osmani ka theksuar se Serbia ka bërë një luftë të tmerrshme në Kosovë e që ende nuk ka kërkim falje e as drejtësi për këto krime.

Sipas presidentes Osmani, Bashkimi Evropian duhet të jetë e qartë me Serbinë, që sipas saj, ajo (Serbia) nuk mund të luaj me dy karta edhe me Rusinë edhe me BE-në.

“Serbia ka bërë një luftë të tmerrshme në Kosovë kundër civileve të pafajshëm. Nga ajo luftë ka pasur mbi 13 mijë civil të vrarë, rreth 20 mijë gra të dhunuara dhe nuk ka asnjë rast të vetëm të drejtësisë për këto krime, e nuk ka kërkim falje as pendesë. Unë i bëj ftesë presidentit Vuçiqi që të paktën të vendosë një lule në Batajnicë në varrezën masive ku janë gjetur qindra fëmijë e gra të cilët ishin vrarë në Kosovë. Historia ka dëshmuar se çdo herë kur ka pasur luftë, e padrejtësi. parakusht për paqe të qëndrueshme ka qenë vendosja e drejtësisë. Prandaj ne kërkojmë drejtësi, nuk kërkojmë hakmarrje, kërkojmë që të kthehen eshtrat e të pagjeturve”, u shpreh Osmani.

Osmani gjatë konferencës përmendi dhe faktin se njohja e Kosovës si shtet i pavarur është “realitet i pashmangshëm”.

“Kjo që ju po e quani zgjidhje, për ne është, njohje reciproke, është e domosdoshme sepse asnjë zgjidhje tjetër përveç njohje reciproke në kufijtë aktual të Kosovës nuk do të sillte paqe. BE-ja duhet të jetë e qartë me Serbinë, që ajo nuk mund të luaj me dy karta edhe me Rusinë edhe me BE-në. Ajo nuk mund të ulet në dy karrige. Në momentin që BE-ja është e qartë me Serbinë edhe sa i përket eliminimin e influencës ruse dhe njohjen e Kosovës si realitet i pashmangshëm , atëherë do të ketë zgjidhje”, ka thënë ajo.

Ajo tha se ata që duhet të përfitojnë nga kjo marrëveshje janë qytetarët. Sipas presidentes, institucionet e reja në Kosovë nuk janë të interesuara të arrijnë marrëveshje para kamerave, e të cilat nuk zbatohen në realitet.

“Ne si institucione të reja të Kosovës, nuk e shohim assesi mundësinë që të dalim para kamerës. Pasi që nga njëherë ato që quhen marrëveshje historike, para kamerave, e në fund nuk zbatohen, nuk janë në të mirën e qytetarëve. Për ne substanca është çka rendësi se sa aparenca”, shtoi Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me presidentin austriak Alexander Van der Bellen.

Përmes rrjetet social Twitter, presidenti austriak ka shprehur mbështetjen për Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në institucionet evropiane.