FOTO: ZPRK

Osmani: BE-ja duhet ta mbajë premtimin kundrejt qytetarëve të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova tashmë i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave dhe ka kërkuar që BE-ja ta mbajë premtimin e vet kundrejt qytetarëve të Kosovës.

“Kosova ka nevojë për mbështetjen gjermane edhe më tej, posaçërisht në rrugën evropiane, sikurse edhe atë të aplikimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.

Këtë ajo e ka thënë në Forumin Ndërkombëtar për Siguri në Halifax, ku është takuar me deputetët gjermanë: Jürgen Hardt, Peter Beyer, Stephan Mayer dhe Roderich Kiesewetter.

Tutje thuhet se Osmani ka theksuar se Kosova është konstruktive në dialogun me Serbinë, por që ka përmendur diskursin nxitës nga pala serbe, sikurse edhe shtrirjen e ndikimit rus në Ballkan për ta destabilizuar rajonin.

Presidentja Osmani gjithashtu ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të marrë fund me njohje të ndërsjellë dhe ka ritheksuar se Kosova nuk do të bëhet pjesë e asnjë organizimi rajonal në të cilin nuk trajtohet e barabartë.