OShP pa bord tash e 9 muaj, bllokohen qindra projekte kapitale

Procesi i përzgjedhjes së bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit tashmë është kthyer në pikën zero pas një procesi i cili dështoi në Kuvendin e Kosovës. Qeveria e ka hapur përsëri më 10 dhjetor konkursin e ri për anëtarë dhe kryetar të bordit të OShP-së. Por kjo situatë nga ana e ekspertëve po konsiderohet si problematike, pasi sipas tyre, janë bllokuar shumë projekte kapitale që ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve.

Janë bërë 9 muaj që kur Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), i njohur si gjykata e tenderëve, ka mbetur pa bord. Që nga ajo kohë, numri i ankesave nga operatorët ekonomik në drejtim të OShP-së ka shkuar pothuajse në 600.

Tentativat për ta funksionalizuar bordin ishin bërë me hapjen e konkursit më 26 maj, por në Kuvend më 6 dhjetor përfundimisht dështoi procesi i emërimit të kryetarit dhe anëtarëve të këtij bordi.

Votimi dështoi për dy herë radhazi. Herën e parë dështoi më 23 nëntor për shkak të mungesës së kourimit, ndërsa më 6 dhjetor dështoi emërimi i tyre pasi ishin vetëm dy vota për, 64 kundër dhe një abstenim.

Ambasada britanike në Kosovë nuk do t’i asistojë Qeverisë së Kosovës në procesin e ri për rekrutimin e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

“Ambasada Britanike në Prishtinë nuk do të asistojë në procesin e ri për zgjedhjen e bordit të OShP-së. Qëndrimi ynë i vazhdueshëm për raste të tilla është se projekti i Ambasadës Britanike nuk do të jetë në gjendje të mbështesë përsëri procesin, në rastet kur rekrutimi ka përfunduar me sukses dhe ka rezultuar me kandidatë që janë të emërueshëm”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Britanike për KALLXO.com.

Qeveria e Kosovës ka thënë se i konsiderojnë monitoruesit britanikë partnerë në mbarëvajtjen dhe përmbylljen e proceseve rekrutuese, dhe tërheqja potenciale e tyre nuk është e mirëseardhur.

“Në rastet e caktuara të dështimit në votim, siç është rasti me OSHP-në, konkursi duhet të përsëritet.  Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet që të rekrutohen personat me të aftë dhe më profesional për të performuar në pozitat e caktuara, kurse bashkëpunimi me Ambasadën Britanike do të vazhdojë për konkurset tjera publike te pozitave te larta drejtuese”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar për dallimet në poentimin e kandidatëve për anëtarë të bordit të OShP-së në mes tre gjyqtarëve vendorë dhe përfaqësueseve të Ambasadës britanike që kanë marrë pjesë në vlerësim, në procesin e parë të rekrutimit, i cili tashmë ka dështuar.

Asnjë grua nuk është rekomanduar për të qenë pjesë e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit nga komisioni vendor i përbërë nga tre gjyqtarë: Hajriz Hoti nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Nenad Laziq nga Gjykata e Apelit dhe Mejreme Memaj nga Gjykata Supreme.

Për dallim nga gjyqtarët, përfaqësuesit e projektit të Ambasadës së Britanisë që kanë asistuar në këtë projekt, kanë vlerësuar se dy gra i plotësojnë kushtet për të qenë pjesë e bordit të OShP-së, që njihet si Gjykata e Tenderëve.

Vjosa Gradinaj-Mexhuani, njëra prej kandidateve të emërueshme, ishte më e poentuara nga ekspertët britanikë në mesin e 20 kandidatëve të intervistuar. Prej britanikëve për anëtare të bordit është rekomanduar edhe kandidatja Shqipe Hoti.

Dallime në poentim kishte edhe te kandidatët e tjerë, gjë që është reflektuar edhe në listat finale të dorëzuara nga dy komisionet vlerësuese që kanë dallime të mëdha.

Komisioni vendor i përbërë nga tre gjyqtarë i ka dërguar në Kuvend vetëm 5 emra për pesë pozita: 1 për kryetar dhe 4 të tjerë për anëtarë.

Për kryetar të bordit të OShP-së, komisioni vendor e ka dërguar në Kuvend kandidatin Ardian Behra, të cilin e kishin poentuar me 32.3 pikë. Kurse për anëtarë të bordit janë rekomanduar: Hasim Krasniqi me 28.7 pikë, Faruk Rexhaj me 28.0 pikë, Adem Spahiu me 26.3 pikë dhe Ruzhdi Morina me 26.0 pikë.

Në mesin e kandidatëve më të poentuar nga komisioni vendor janë edhe dy kandidatë që sipas vlerësimit të ekspertëve britanikë nuk i plotësojnë kriteret për emërim në bordin e OShP-së. Hasim Krasniqi dhe Adem Spahiu nuk janë në mesin e kandidatëve të emërueshëm për bordin e OShP-së sipas vlerësimeve të bëra nga ekspertët britanikë, por ata janë rekomanduar për anëtarë të bordit të OShP-së.

Qindra projekte kapitale të bllokuara

Nga ana e Organit të Shqyrtues të Prokurimit Publik (OShP), kanë bërë të ditur për KALLXO.com se që nga 31 marsi deri tani janë deponuar 580 ankesa për tenderë të ndryshëm.

“Megjithatë, prej 580 ankesave, ekspertët kanë shqyrtuar dhe lëshuar ekspertiza për 557 ankesa”, thuhet në një përgjigje për KALLXO.com.

Këtë situatë, Agon Hysaj, hulumtues në KDI e sheh si problematike. Sipas tij, me dështimin e zgjedhjes së kandidatëve të propozuar nga konkursi i kaluar, procesi përpos që është kthyer në pikën zero, por do të shtyjë edhe më shumë zgjedhjen e bordit të OShP-së.

“Dështimi i Kuvendit që të zgjedhë kandidatët e propozuar e kthen procesin në pikën zero e që kjo nënkupton që shkaku i festave të fundvitit dhe përmbylljes së sesionit vjeshtor të Kuvendit, do të vonohet edhe së paku për rreth 4 muaj procesi”, tha Hysaj për KALLXO.com.

Ai shtoi se të gjithë tenderët për të cilët ka ankesa janë të pezulluar dhe nuk mund të ndërmerret asnjë veprim nga ana e institucioneve deri sa të emërohet bordi i OShP-së.

“Vonesa në zgjedhjen e bordit të OShP-së, ndikon direkt tek qytetarët”

Vonesa në zgjedhjen e bordit të gjykatës së tenderëve, ka bërë që shumë projekte të mbesin peng dhe barrën për to po e mbajnë autoritetet kontraktuese.

Përveç tyre, Agon Hysaj nga KDI, thotë se kjo situatë po i prekë direkt edhe qytetarët e Kosovës.

“Një pjesë e madhe e këtyre mjeteve janë investime kapitale që ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve. Vonesa e krijimit të bordit të OShP-së shkakton probleme të mëdha pasi investimet kapitale e mallrat e shërbimet mbesin të bllokuara si rezultat i ankesave”, thotë Hysaj për KALLXO.com.

Ai shton se kjo situatë ndikon edhe tek komunat, që në raport të Zyrës Kombëtare të Auditimit mund të marrin rekomandime për buxhetin.

“Pasi tani është fundi i vitit fiskal shumë mjete do të tërhiqen dhe në raportin e Auditorit për vitin 2021 shumë komuna do të dalin më përqindje të ulët të realizimit të buxhetit për investime kapitale”, tha Hysaj më tej.

Edhe drejtori i Financave në Komunën e Pejës, Jeton Abazaj tha për KALLXO.com se bordi i OShP-së është shumë jetik dhe sipas tij, shumë komuna kanë mbetur peng për shkak të këtij bordi.

“Bordi i OShP në shpenzimet e buxhetit është shumë jetik, por fatmirësisht që ne s’kemi qenë në mesin e komunave që kemi pas shumë tenderë në OShP, sepse përndryshe do të kishim mbetur pa e shpenzuar nëj shumë të madhe të buxhetit në investime kapitale”, tha ai.

Ai shtoi se kjo komunë ka pasur vetëm 34 tenderë në OShP.

“Për që kemi pas fat dhe s’kemi pas shumë tenderë në OShP s’na ka godit neve si komunë shumë, sepse kanë qenë 34 tenderë në OShP prej 120 që i kemi pas të tenderuar. Por, në rastin e komunave të tjera që kanë pas përqindje më të madhe të të tenderëve i ka lënë pa i shpenzuar buxhetin e investimeve kapitale dhe një serë problemesh tjera”, shtoi Abazaj.

Drejtori i Financave në Komunën e Pejës theksoi se ka raste që disa komuna kanë humbur donacione të ndryshme për shkak të mos shpenzimit mbi 75% të buxhetit për investime kapitale.

“Ne e kemi kusht që shpenzimi në mbi 75% të investimeve kapitale në mënyrë që me përfitu donacione të zviceranëve dhe MAPL. Ka komunë që i kanë humbur donacionet pikërisht, tu u kategorizu me shpenzim të buxhetit të dobët, falë mospunës së OShP-së si organi i shqyrtimit të tenderëve”, tha ai për KALLXO.com.

Ankesat e bizneseve për bllokim të tenderëve

Përveç bllokimit të tenderëve, mosfunksionalizimi i bordit të OShP-së ka shkaktuar edhe një problem tjetër. Bizneset kanë bërë ankesa edhe të pabazuara vetëm për të bllokuar projektet kapitale duke e ditur që ankesat e tyre nuk mund të shqyrtohen për shkak të mungesës së bordit.

Sipas ekspertit të prokurimit, Isuf Zejna, me mos funksionalizimin e bordit të OShP-së janë thelluar edhe problemet mes bizneseve.

“Gjendja në OShP më shumë kisha thënë se ka lënë projekte pezull, por është edhe ajo që tu e ditë që s’ka bord, janë bërë ankesa që janë të pabaza, po veç me qëllim të bllokimit të aktivitetit të prokurimit ose me i blloku punët nga një biznes për biznesin tjetër”, tha Zejna për KALLXO.com

Sipas tij, përveç kësaj ka edhe bllokim të institucioneve edhe bizneseve në qarkullimin e parasë.

“Institucionet po e dijnë mungesën e bordit, nuk kanë filluar me aktivitetet, sepse po e dijnë që po përfundojnë me ankesa. Ka shumë vlerë të madhe që duhet me u shpenzu në garancione të sigurimeve të ofertave, për shkak se është e pamundur me përfundu vlerësimin për shkak të pezullimit të ankesave, në anën tjetër këto janë shpenzime veç barrë për bizneset”, tha Zejna më tej për KALLXO.com.

Konkursi i ri shtyn edhe më shumë zgjedhjen e bordit 

Pasi Kuvendi nuk ia dha dritën e gjelbër kandidatëve për anëtarë të bordit të OShP-së, Qeveria më 10 dhjetor shpalli konkursin e ri për kryetar dhe anëtar të bordit.

Kandidatët e interesuar kanë pasur mundësi që të aplikojnë deri më 24 dhjetor.

Hulumtuesi nga KDI, Agon Hysaj, thekson se Qeveria sa më shpejtë duhet t’i dërgojë emrat në Kuvend.

“Tani më që procesi është kthyer në pikën zero, Qeveria duhet ta marrë shumë seriozisht këtë problem dhe të dërgojë sa më parë emrat e rinj në Kuvend.

Sipas tij, me hapjen e konkursit të ri, mund të bëhen më shumë se një vit derisa bordi i OShP-së të fillojë punën.

“Ka shumë mundësi që emrat e rinj të mos mund të votohen deri në përfundimin e sesionit vjeshtor të Kuvendit dhe kjo nënkupton që OShP do të jetë pa bord për më shumë se një vit”, shtoi më tej Hysaj.

Edhe eksperti i prokurimit, Isuf Zejna thekson se procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të ri të OShP-së, mund të zgjasë mbi 6 muaj.

“Po mundem me parashiku se si proces 3-6 muaj ka m’i marrë i konkursit të ri, minimumi është 3 dhe shumë lehtë mundet 6 apo më shumë muaj, pasi ka shumë hapa procedural që duhet me u bo deri tek zgjedhja e anëtarëve në Kuvend”, tha Zejna për KALLXO.com.

Organi Shqyrtues i Prokurimit është organ i pavarur dhe shqyrton të gjitha ankesat e parashtruara me shkrim nga operatorët ekonomik për proceset e prokurimit.

OShP-ja ka kompetencë, autoritet, pushtet dhe përgjegjësi që të shqyrtojnë ankesat nga palët e interesuara lidhur me shkeljet e mundshme të Autoriteteve Kontraktuese dhe  si rrjedhojë mund të kërkojë nga Autoritetet që aktiviteti i prokurimit të kthehet në ri-vlerësim dhe të kërkojë nga to që të anulohet aktiviteti i prokurimit si dhe të aprovoj vendimin e Autoriteteve Kontraktuese.