OSHP gjen shkelje në tenderin e AAC-së, anulohet tenderi për angazhimin e ekspertit të aviacionit

Autoriteti i Aviacionit Civil e ka anuluar tenderin për angazhimin e një eksperti të aviacionit, pasi Organi Shqyrtues të Prokurimit ka konstatuar se tenderi ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik. 

Gjykata e Tenderëve ka sqaruar se tenderi është hapur në kundërshtim me Rregullat për Shërbime të Veçanta, pasi kriteret e tenderit nuk përbëjnë shërbime të veçanta – si një prej kritereve për angazhim të ekspertëve.

“Paneli Shqyrtues konstaton se specifikat teknike të përshkruara në dosjen e tenderit, nuk përbëjnë shërbime të veçanta dhe njëherit nuk e kanë përmbushur qëllimin, objektin dhe lënda e kontratës dhe aktivitetit të prokurimit si i tillë nuk është në përputhje me nenin 28 të LPP-së dhe është në kundërshtim me nenin 3 të Rregullave për Shërbime të Veçanta të KRPP-së” – thuhet në vendimin e OSHP-së.

Pas këtij vendimi, Autoriteti i Aviacionit Civil e ka anuluar tenderin për angazhim të ekspertit të aviacionit. 

“Angazhimi i ekspertëve për nevojat e AACK-së – Lot 1 anulohet me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit me numër të protokollit 240 22, i datës 22.08.2022, i cili na obligon në anulimin e këtij aktiviteti” – thuhet në njoftimin për anulimin e tenderit të publikuar më 22 gusht.

Pretendimet ata i bazojnë në faktin se pas vlerësimit të ofertave, për këtë pozitë ishte rekomanduar që të nënshkruhet kontrata 3-vjeçare me Ersen Shilekun, i cili bashkë me Bujar Ejupin, drejtorin e Autoritetit të Aviacionit Civil, për disa vite kanë mbajtur në të njëjtën kohë pozitat e zëvendësdrejtorëve të Agjencisë Shtetërore të Navigacionit Ajror.

Në muajin korrik, drejtori i Autoriteti të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi, e kishte mohuar për KALLXO.com të ketë ndikuar që Ersen Shileku të rekomandohet si ekspert i aviacionit.

“E vetmja çka pretendon pala është që e njoh personin në fjalë, unë e njoh edhe atë që është ankuar edhe atë tjetrin, për shkak sepse personat që kanë konkurruar kanë përvojë në aviacion dhe duke qenë që jam 20 vjet në aviacion, të gjithë i njoh. Shok unë e kam edhe atë djalin që është ankuar… është subjektive kjo dhe spekulative”  – kishte thënë Ejupi.

KALLXO.com e kishte kontaktuar edhe kandidatin e rekomanduar, Ersen Shileku. Ai ka mohuar që shoqëria me drejtorin e ACC-së, Bujar Ejupi, të ketë ndikuar në përzgjedhjen e tij si ekspert i aviacionit.

Disa ditë pasi KALLXO.com është interesuar për rastin e rekomandimit për kontratë të Shilekut, Autoriteti i Aviacionit Civil është përgjigjur në pyetjet e KALLXO.com duke thënë se rastin e kanë dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsionit për të marrë një sqarim nëse njohja e mëhershme me kandidatët paraqet konflikt të interesit.

Rreth mundësisë së konfliktit të interesit ka shkruar edhe Gjykata e Tenderëve. Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka konstatuar se ekziston një perceptim i situatës për kompromis të paanshmërisë në kontekstin e procedurës së prokurimit në mes drejtorit të AAC-së dhe kandidatit të rekomanduar. Po ashtu, OSHP e ka obliguar AAC-në që të verifikojë dhe të sigurohet që mos të bie ndesh me këto dispozita ligjore.

Për rekomandimin e Shilekut, në Gjykatën e tenderëve është ankuar njëri nga kandidatët që kishte aplikuar për ekspert të aviacionit në AAC, Armir Qorrolli.

Hapja e këtij tenderi ishte kundërshtuar nga anëtarë të Sindikatës së Punëtorëve të AAC-së, të cilët pretendonin se ekspertizë të ngjashme kanë disa punëtorë aktualë të këtij institucioni.

Përveç kontestimit të nevojës për të angazhuar një ekspert të tillë, Sindikata por edhe njëri nga kandidatët që ka aplikuar në këtë tender kanë pretenduar se tenderi është hapur dhe specifikat e tenderit i janë përshtatur një ish-kolegu të drejtorit të AAC-së.

Tenderi për angazhimin e dy ekspertëve, një ekspert të aviacionit (Lot 1) dhe një ekspert për menaxhimin e projekteve dhe raportimit (Lot 2), ishte hapur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit më 8 prill dhe ishte mbyllur më 28 prill. Pjesa e dytë e tenderit është anuluar për shkak se është konstatuar se nuk ka kandidat të përgjegjshëm për atë pozitë. 

Ndërsa për pozitën ekspert i aviacionit kishin aplikuar 4 kandidatë. Oferta e Ersen Shilekut, i cili është rekomanduar për kontratë kishte vlerën 34,200 euro apo 950 euro në muaj për 3 vjet, ajo e Armir Qorollit ishte 18,720 euro apo 520 euro në muaj për 3 vjet.

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka thënë se nëse AAC-ja ka interes për angazhim të ekspertëve duhet të sigurohen që tenderi të hapet në përputhje me ligjin e Prokurimit dhe atë për Zyrtarët Publik.

Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Kosovës (AAC) është themeluar me Ligjin për Aviacionin Civil si agjenci e pavarur rregullatore për aviacionin civil. AAC-ja është përgjegjëse për rregullimin e sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe shërbimeve të navigacionit ajror në Republikën e Kosovës.