OShP ankohet për presion nga Policia

Komisioni për Buxhet dhe Financa shtyu votimin e raportit vjetor të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2018, për shkak të mungesës së informacioneve që komisioni në fjalë kishte kërkuar rreth shpenzimeve për disa udhëtime.

Me gjashtë vota pro, komisioni votoi kalimin e Projektligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe amendamentet e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media.

Raporti vjetor i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik për vitin 2018 edhe pse u vu në votim tri herë, nuk arriti të marr votat e mjaftueshme për arsye se shumica e deputetëve të pranishëm refuzuan ta votojnë këtë raport.

Kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku kërkoi nga kryetari i OShP-së, Blerim Dina që të sqarojë se a ka pasur rivlerësim të ofertave, a janë përmbushur 19 urdhëresat e OShP-së, përse është rritur numri i ankesave në krahasim me vitin 2017, veçanërisht nga Ministria e Mbrojtjes, si dhe cilat institucione janë gjobitur deri tani.

Blerim Dina, kryetar i OShP-së tha para komisionit, se gjatë vitit 2018-të kanë pranuar 763 ankesa, të cilat edhe i kanë shqyrtuar në tërësi.

Tutje sqaroi se kanë pasur gjithsej 27 tërheqje të ankesave, kanë lëshuar 22 urdhëresa, 3 gjoba, kanë  pasur tri anulime të aktiviteteve dhe gjashtë ankesa të cilave ua kanë shtyrë afatin.

“396 raste i kemi kthyer në rivlerësim që të zbatojnë në përgjithësi të gjitha dispozitat dhe në raste kur prapë kanë bërë shkelje dhe nuk kanë zbatuar vendimin, OShP ka lëshuar urdhëresë për zbatimin e atij vendimi. Nuk kemi bërë analizë pse është rrit numri i ankesave. Roli i OShP-së në pagesën e gjobave është hendikep shumë i madh sepse nuk po na i paguajnë gjobat dhe kemi shkuar përmes përmbaruesit privat. Ka gjoba prej 25 mijë eurove dhe ka gjoba prej vitit 2009”, ka deklaruar Dina.

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se ligji i prokurimit është njëra ndër problemet kryesore në vendin tonë, prandaj edhe si grup parlamentar synojmë ndryshimin e këtij ligji.

Ky deputet theksoi se ‘organi i OShP-së është shndërruar në organin më të korruptuar më Kosovë’.

“Arsyeja e rritjes së ankesave është skandal. Mungesa e efikasitetit vjen si problem bazë i cili shpeshherë e bën të pamundur që me pas mundësi palët me u anku. Jeni shndërruar në institucion i cili e funksionalizon maksimalisht interesin e operatorëve të caktuar dhe kur kompanitë ankohen ndodhë për shkak që s’kanë arritur t’i përmbushin qëllimet e veta”, ka thënë Molliqaj.

Tutje deputeti i PSD-së shtoi se ri rregullimi i organit të OSHP-së është i domosdoshëm sepse sipas tij, ky organ po bën shumë dëm.

“Mungesa e efikasitetit është garancë për korrupsion. Arsyeja pse rritet korrupsioni është kur ju i zvarritni proceset”, theksoi Molliqaj.

E sa i përket akuzave të këtij deputeti për korrupsion, i pari i OShP-së, Blerim Dina u përgjigj duke thënë se këtë deklaratë duhet argumentuar me prova që tregojnë shkeljet.

Ai theksoi se të gjitha vendimet janë të bazuara në ligj dhe se rasteve kur ua kanë prishur vendimet ka ndodhur si pasojë e shkeljeve që janë gjetur nga operatorët kontraktues.

“Tri ankesa i kemi ndaj 763 vendimeve në gjykatë, edhe ne mundemi me gabu, prandaj është këshilla juridike dhe munden me u anku në gjykatë. Sivjet do t’i kemi edhe shtatë pozita dhe do të përforcohemi dhe besoj që në vitin tjetër do të keni një raport më të pasur. Nuk kemi bërë ndonjë analizë për tërheqjen e operatorëve. Urdhëresat tona në 22 raste nuk janë zbatuar”, ka sqaruar më tej Dina.

Në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Blerim Kuqi kritikoi OShP-në për vonesat në përgjigjet e tyre ndaj operatorëve dhe kërkoi nga ta që të jenë më vigjilent.

Agim Shaqiri, zyrtar i financave në OShP tha se thesari nuk po i ekzekuton vendimet e tyre dhe se këtë mund ta bëjë vetëm gjykata, prandaj edhe kanë filluar ta bëjnë ekzekutimin e tyre përmes përmbaruesve privat.

“291 mijë euro të gjobave nuk po arrijmë t’i marrin sepse nuk kemi bazë ligjore. Është rasti i njëjtë edhe në gjobën ndaj KOST-it”, ka thënë ai.

Lumir Abdixhiku trajtoi edhe letrën e OShP-së përmes të cilës ky organ deklaron se në vazhdimësi janë duke u përballur me presion nga ana e policisë dhe hetuesisë për rastet të cilat janë duke i trajtuar.

Bordi i OShP-së përmes kësaj letre gjithashtu ka paralajmëruar edhe dorëheqje në rast se vazhdojnë presione të tilla, prandaj edhe u kërkua që të sqarojnë se për çfarë presioni konkretisht bëhet fjalë.

Kryetari i OShP-së, Blerim Dina tha se ata janë zgjedhur që të zbatojnë procedurat në përpikëri në bazë të ligjit dhe se u është besuar marrja e vendimeve.

“Kemi dy mijë raste të korrupsionit. 500 zyrtarë të prokurimit vetëm me korrupsion po merren e jo me tjetër send prandaj jemi të shqetësuar sepse kemi një numër të madh të ankesave. Andaj ne nuk po e dimë a me shkru për ankesa a me raportu nëpër stacione policore. Për një rast po duhet 3-4 ditë në policie e aq mandej edhe në prokurori të gjithë më rend. Motivet e tyre nuk i di sepse ata i dinë më mirë përse po na e bëjnë këtë presion por ne kemi presion”, ka thënë Dina.

Por për deputetin Blerim Kuqi kjo letër ‘është absurde’ sepse sipas tij, OShP është organ i pavarur në vendimmarrje dhe autoriteti më i lartë në Kosovë.

“Ju jeni gjykatë në marrjen e vendimeve, letra është absurde në mënyrën që e keni dërguar”, tha Kuqi.

Anëtarët e këtij komisioni vendosën që çështjen e kësaj letre ta diskutojnë individualisht në Kuvendin e Kosovës meqenëse edhe raporti i OShP-së nuk u votua.