Foto: OSBE

OSBE: Vetura që u kap me marihuanë në Serbi, nuk ishte e misionit

Pesë persona janë arrestuar në Beograd javën e kaluar. Ata po dyshohen se kryer veprën penale të prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të lëndës narkotike.

Media serbe RTS.rs raporton se vetura përmes të cilës u soll droga nga Kosova, është e Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë.

OSBE përmes një reagimi ka deklaruar se nuk janë të sakta raportimet se nga të arrestuarit është përdorur një automjet i misionit.

Mirëpo, OSBE ka konfirmuar se njëri nga të arrestuarit është anëtar lokal i stafit mbështetës të Misionit.

“Misioni është në dijeni të raportimeve të mediave në lidhje me arrestimet të premten nga policia në Beograd. Misioni mund të konfirmojë se njëri nga të arrestuarit është një anëtar lokal i stafit mbështetës të Misionit. Nuk janë të sakta raportimet se nga të arrestuarit është përdorur një automjet i Misionit”- thuhet në reagim.

Më tej, OSBE bën të ditur se është në kontakt me policinë për këtë çështje, por që nuk mund të komentojnë më tej në këtë moment pasi sipas tyre “është një çështje ligjore me një hetim në vijim”.