OSBE thirrje Qeverisë dhe Kuvendit: Kujdes me Ligjin për Mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së

Misioni i OSBE-së në Kosovë përmes një komunikate i ka bërë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit që t’i rishqyrtojnë dispozitat e projektligjit për Mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së të cilat do të cenonin lirinë e shprehjes.

“OSBE-ja ka mbështetur lirinë e fjalës dhe lirinë e shprehjes në Kosovë që nga viti 1999, në partneritet të ngushtë me institucionet dhe mediat në Kosovë. Në këtë kontekst, kërkojmë vëmendje të veçantë për nenin 5 të këtij projektligji, i cili do të cenonte lirinë e shprehjes dhe të drejtën e individëve për t’i shprehur bindjet e tyre personale dhe pikëpamjet politike”, thuhet në njoftimin e OSBE-së.

“Ne ndajmë shqetësimet e shprehura nga Ambasada e SHBA-së, Zyra e BE-së dhe miqtë e tjerë të Kosovës, përfshirë ambasadën gjermane dhe atë zvicerane, të cilat e kanë ngritur zërin e tyre lidhur me këtë ligj”, thuhet tutje në reagim.

“Kosova ka kornizë të avancuar ligjore, në përputhje me standardet evropiane, e cila mbron lirinë e shprehjes dhe të drejtat dhe liritë e tjera të arritura me mund të madh. Por, sikur këto mbrojtje do të vlenin vetëm për idetë popullore, ato nuk do të ishin të nevojshme. Demokracia kërkon tolerancë për mospajtimet dhe respektim për mosmarrëveshjet, madje edhe për çështjet me rëndësi thelbësore historike”, thuhet në fund të reagimit.