Foto: KALLXO.com

OSBE publikon raportin për trajtimin e rasteve të terrorizmit nga institucionet e Kosovës

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), misioni në Kosovë, ka publikuar sot raportin “Trajtimi i rasteve të terrorizmit nga sistemi i drejtësisë penale të Kosovës”.

Raporti përfshin një periudhë trevjeçare, që nga viti 2018 deri në vitin 2020, dhe bazohet në katër shtylla kryesore kundër terrorizmit: parandalimi, mbrojtja, ndjekja dhe reagimi.

Sipas raportit, terrorizmi paraqitet si çështje sfiduese edhe në Kosovë krahas vendeve të botës. Kurse institucionet e drejtësisë në gjykimin e këtyre rasteve duhet të jenë objektive, efektive dhe duhet të respektojnë të drejtat e njeriut.

Duke marrë për bazë progresin e fundit si dhe përkushtimin e lartë të institucioneve në Kosovë për të parandaluar dhe ndjekur penalisht terrorizmin, raporti tregon që ka trende pozitive në menaxhimin e rasteve dhe ndjekjen e tyre.

Disa shqetësime të cilat janë identifikuar, sipas OSBE-së, kanë të bëjnë me ndjekjen e financimit të terrorizmit, cilësia e aktakuzës dhe vendimeve si dhe mënyra se si përdoret paraburgimi.

Ambasadori Michael Davenport tha që terrorizmi si një kërcënim i vazhdueshëm ndaj sigurisë, kërkon hetim, ndjekje penale dhe gjykim të fuqishëm. Përgjigjja ndaj këtyre sfidave duhet të jetë në përputhje me të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.

“Terrorizmi është një kërcënim gjithnjë në zhvillim ndaj sigurisë që kërkon hetim, ndjekje penale dhe gjykim të fuqishëm. Ne duhet të jemi vigjilentë në përgjigje ndaj këtyre sfidave, por përgjigjja jonë duhet të respektojë edhe të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit” – tha shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport.

Raporti përfundon me rekomandimet për institucionet kyçe në Kosovë, të cilat merren me rastet e terrorizmit në mënyrë që legjislacionet e Kosovës të jenë në përputhje me standardet e BE-së.

Ambasadori në fund shtoi që Misioni është i gatshëm që të mbështesë institucionet e vendit në zbatimin e rekomandimeve të raportit.

“Misioni është i gatshëm të mbështesë institucionet e Kosovës në zbatimin e rekomandimeve të raportit” – tha në fund Davenport.