OSBE kujton masakrën e Reçakut: Bashkohemi për të nderuar viktimat e pafajshme

Misioni i OSBE-së në Kosovë përmes një deklarate ka përkujtuar Masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999.

OSBE ka thënë se bashkohet për të nderuar jetët e pafajshme që u morrën në Reçak.

“Më 15 janar 1999, 45 shqiptarë të Kosovës u masakruan në Reçak. Ne bashkohemi për të nderuar jetët e pafajshme që u morën në Reçak dhe në tërë Kosovën, gjatë asaj periudhe”, thuhet në deklaratën e OSBE.

Gjithashtu, OSBE ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave, duke u zotuar për përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe të ardhme paqësore për të gjithë.

“Ne shprehim thellësisht ngushëllimet tona për familjet e viktimave dhe mbetemi të përkushtuar ndaj parimeve të sundimit të ligjit, sigurisë publike dhe një të ardhme paqësore për të gjithë”, thuhet në fund të deklaratës së misionit të OSBE në Kosovë.

Sot bëhen 21 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak.

Kjo masakër ishte cilësuar si krim kundër njerëzimit nga kreu i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së, ambasadori William Walker.

Në përkujtim të përvjetorit të kësaj masakre, bëhen homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak, ndërsa nga ora 11:00 do të mbahet akademi përkujtimore në “Shtëpinë e Kulturës” në Shtime.

21 vite nga masakra e Reçakut