Ilustrim - Foto: OSBE

OSBE flet për mundësinë e organizimit të referendumit të Serbisë në Kosovë

Ndonëse ende nuk dihet nëse qeveria e Kosovës do të lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka bërë të ditur se janë të gatshëm ta organizojnë referendumin e 16 janarit.

Në një përgjigje për BIRN, OSBE ka bërë të ditur se nga qeveria e Serbisë kanë pranuar një kërkesë për t`i mbledhur votat e qytetarëve serb që jetojnë në Kosovë.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë mori një kërkesë zyrtare nga qeveria serbe më 20 dhjetor për të kryer një operacion për mbledhjen e votave për referendumin serb më 16 janar. Misioni ka njoftuar Qeverinë e Kosovës dhe ka ofruar që të kryhet një operacion i tillë në të njëjtat kushte siç është bërë për zgjedhjet parlamentare serbe të qershorit 2020. Këto kushte përfshijnë pëlqimin nga të dyja palët”, thuhet në përgjigjen e OSBE-së.

Mbledhjen e votave nga OSBE e ka përkrahur edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, duke theksuar se qytetarët serb të Kosovës që kanë të drejtë vote ta kenë mundësinë që ta shfrytëzojnë këtë drejtë në referendumin për ndryshimet kushtetuese në Serbi i cili pritet të mbahet më 16 janar 2022.

“Grumbullimi i votave në të kaluarën është bërë me lehtësimin e OSBE-së. Qytetarët duhet të jenë në gjendje që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Mbajtja e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës është kundërshtuar nga qeveria e Kosovës. Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se një referendum i tillë “nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”.

Kurti ka ofruar dy opsione sipas të cilave qytetarët serb në Kosovë mund të marrin pjesë në referendumin në Serbi.

“Gjatë një bisede me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell unë shpreha qëndrimin tonë: Serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë. Referendumi i një shteti tjetër në një territor sovran nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”, ka shkruar dje Kurti në twitter.

Borrell insiston që grumbullimi i votave për referendumin e Serbisë në Kosovë të bëhet nga OSBE