Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

OSBE duartroket KQZ-në dhe komisionet komunale për organizimin e zgjedhjeve

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka duartrokitur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe komisionet komunale për organizim të suksesshëm të zgjedhjeve.

OSBE thekson se qytetarët po dëshmojnë se vota e tyre ka rëndësi dhe se demokracia funksionon.

“Ne duartrokasim Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe komisionet komunale për mbajtje të suksesshme të zgjedhjeve lokale gjatë ditës së djeshme. Votuesit edhe një herë kanë treguar se vota e tyre ka rëndësi dhe se ata po e bëjnë demokracinë të funksionojë”, thuhet në komunikatën e tyre.

Edhe Misioni Ndërkombëtar i Rrjetit Evropian të Organizatave Monitoruese të Zgjedhjeve (ENEMO) në një konferencë për media, deklaroi se rundi i parë i zgjedhjeve lokale në Kosovë u mbajt në mjedis kryesisht të qetë.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve qytetarët me të drejtë vote që kanë votuar në zgjedhjet lokale të vitit 2021 është rreth 43%.

Në rundin e parë për zgjedhjet lokale në Kosovë janë zgjedhur kryetarët e 17 komunave, ndërkaq në balotazh do të shkojnë 21 komuna.