OSBE dënon sulmin ndaj serbëve në një fshat të Graçanicës

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar pas sulmit të tre serbëve në fshatin Gushtericë e Ulët në  komunën e Graçanicës gjatë ditës së djeshme.

Sipas reagimit të OSBE, incidentet e tilla prishin marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me faktorët institucional dhe shoqëror.

Sipas OSBE, Policia e Kosovës është duke u marrë me rastin.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë shpreh shqetësime për sulmin fizik ndaj tre serbëve të Kosovës në Gushtericë e Ulët, komuna e Graçanicës, më 31 maj. Ekipet në terren të OSBE-së janë informuar se tre serbët e Kosovës ishin në pronën e tyre kur u sulmuan nga një grup burrash që përdorën shufra metalike. Ekipet në terren të OSBE-së janë informuar se Policia e Kosovës po heton në mënyrë aktive rastin, duke ndjekur rezultate të rëndësishme. Ne e lavdërojmë policinë për këtë reagim me shpresën për një përfundim të shpejtë. Cilado qoftë motivet, këto incidente prishin marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të gjithë faktorët institucional dhe shoqëror duhet të veprojnë për t’i adresuar ato”, thuhet në reagimin e OSBE-së.

KALLXO.com ka kontaktuar me Policinë e Kosovës, por të njëjtit nuk kanë qenë të gatshëm të japin informacione në lidhje me rastin duke kërkuar që për natyra jo urgjente t’u drejtohemi me e-mail.