![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2016/08/osce_24118-e1471343861599.jpg)
OSBE: Dënojmë sulmin në Zubin Potok, po monitorojmë sigurinë e brishtë në veri
Misioni i OSBE-së ka dënuar sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, që ndodhi më 29.11.2024.
OSBE-ja thotë se po monitorojnë “sigurinë e brishtë” në veri pas incidenteve të fundit me granata, teksa theksojnë se përngjashmëria është çelësi për rikthimin e ndjenjës së sigurisë për të gjithë.
“Misioni, pa mëdyshje dënon sulmin në infrastrukturën në Zubin Potok, i cili ndërpreu ujin dhe rrezikoi furnizimin me energji elektrike për shumë njerëz. Ne po monitorojmë sigurinë e brishtë në veri pas incidenteve të fundit me granata. Përgjegjshmëria është çelësi për rikthimin e ndjenjës së sigurisë për të gjithë”- thuhet në reagimin e OBSE-së.
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut. Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orekstruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkakoti në kanalin e Ibër Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024) ku ka folur për këtë shpërthim.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.
Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e Ibër Lepencit, mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.
Lajm në Zhvillim: Shpërthim në Zubin Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit