OSBE deklarohet për mundësinë e organizimit të zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë

Serbia të dielën e 3 prillit mban zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Zyrtarët e lartë serbë shprehën dëshirën që ato të mbahen edhe në territorin e Kosovës. Por, një gjë të tillë e kundërshtuan qeveritarët nga Kosova.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), misioni në Kosovë, tha se janë të gatshëm që të bëjnë mbledhjen e votave të serbëve që jetojnë në vend nëse bëhet një marrëveshje mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë.

“OSBE, përmes Misionit të saj, ka bërë mbledhjen e votave për zgjedhjet serbe në Kosovë që nga viti 2012, të mbështetur nga institucionet e Kosovës, përfshirë Policia e Kosovës dhe KFOR-i”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të OSBE-së.

“Megjithatë, kjo ka qenë gjithmonë e bazuar në marrëveshje të ndërsjellë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe pëlqimit të të gjitha institucioneve relevante për një operacion të tillë. Misioni i OSBE-së në Kosovë vazhdon të jetë i gatshëm për të kryer mbledhjen e votave me kusht që të plotësohet ky kusht”, thuhet në fund të përgjigjes.

Sot gjatë ditës, zyrtarët e Bashkimit Evropian konfirmuan se Kosova ka refuzuar një propozim të shteteve të QUINT-it.

Siç u tha, propozimi ishte sikur i herave të kaluara, ku serbëve që jetojnë në Kosovë t’u mundësohej votimi.

Për refuzimin, BE shprehu keqardhje.

“BE-ja ka vepruar si lehtësues, Përfaqësuesi i Lartë ishte i angazhuar në kontakte për të gjetur marrëveshje për zgjidhje praktike që do t’u mundësonte qytetarëve me dy shtetësi të marrin pjesë në zgjedhje. Kemi bërë përpjekje të gjejmë zgjidhje praktike duke përdorur analogjitë që ishin vendosur në votime në të kaluarën”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, duke pohuar se Serbia ka luajtur rol konstruktiv e Kosova ka refuzuar.

Në anën tjetër, qëndrimin mbi organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë nuk e ka ndryshuar Ambasada e Amerikës në Kosovë. Këtë qëndrim e kishte shprehur ambasadori, Jeffrey Hovenier në një intervistë për televizionin publik më 26 janar të këtij viti.

Kosova së fundmi nuk lejoi mbajtjen e një referendumi serb në territorin e Kosovës. Për këtë, Kuvendi i Kosovës nxori edhe një rezolutë.

Ndërkohë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE kishte thënë se “Kosova përcakton kushtet për organizimin e zgjedhjeve të huaja në territorin e saj”.

Qëndrimet e ndërkombëtareve për zgjedhjet serbe në Kosovë

www.kallxo.com