OSBE bën thirrje që të hetohet rasti i djegies së veturës së deputetit Simiq

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar për veturën private të deputetit të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Slavko Simiq, e cila u përfshi nga flakët në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në Leposaviq.

OSBE ka bërë thirrje për një hetim të shpejtë në mënyrë në zbatim të ligjit e që si rrjedhojë të zbardhet rasti.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë ka kuptuar me shqetësim se një automjet që i përket Slavko Simiq, anëtar i Kryesisë së Listës Serbe dhe Kuvendit të Kosovës, u dogj gjatë natës në Leposaviq. Ne bëjmë thirrje për një hetim të shpejtë të zbatimit të ligjit që do të përcaktojë sfondin e incidentit dhe do të zgjidhë çështjen”, thuhet në reagimin e Misionit.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës se shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, e ka quajtur shqetësues lajmin për djegien e veturës private të deputetit të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Slavko Simiq.

Digjet vetura e deputetit të Listës Serbe në Leposaviq

“Pres që policia të zhvillojë një hetim të shpejtë dhe të plotë në mënyrë që autorët të paraqiten para drejtësisë”, ka shkruar Apostolova në rrjetin social ‘Twitter’, të enjten.

Portali Kossev kishte raportuar sot se vetura private e deputetit të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Slavko Simiq, është përfshirë nga flakët në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes në Leposaviq.

Simiq është zgjedhur anëtar i kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e veriut, Branislav Radoviq, ka konfirmuar për portalin Kossev se incidenti ka ndodhur rreth orës 00:25 në rrugën “Milan Raduloviq Krcun” në Leposaviq.

“Më 9 janar rreth orës 00:25 në Leposaviq, në rrugën “Milan Raduloviq Krcun” është djegur vetura e markës “Peugeot” bë pronësi të S.S. (1984) me tabela të Mitrovicës i cili ishte parkuar në një garazh të papërfunduar përballë shtëpisë ku banon pronari i veturës”, tha Radoviq.

Kossev raporton se në vend të ngjarjes kanë dalë ekipet e zjarrfikësve dhe patrulla e policisë ndërsa zjarri është lokalizuar, por vetura është djegur tërësisht.

Raportohet se dëmi i shkaktuar kap vlerën deri 6 mijë euro.