Osaka e ndalon duhanin edhe në hapësira publike

Njëra prej qyteteve më të mëdha të Japonisë po e “zbukuron” veten para mbajtjes së Panairit Botëror: jo vetëm duke mbjellë lule, por edhe duke ndaluar duhanin – raporton të mërkurën, më 29.01.2025, televizioni amerikan CNN.

Osaka do të jetë së shpejti nikoqire e Expo 2025, që zgjat prej prillit deri në tetor, me përfaqësues të 158 shteteve dhe rajoneve, të cilët do të marrin pjesë në diskutime, demonstrime dhe ekspozita.

Ndalimi i duhanit në hapësira publike, që ka nisur të zbatohet prej 27 janarit, përfshin rrugët, parqet, sheshet dhe hapësirat e tjera publike dhe vlen jo vetëm për cigaret, por edhe për vepat. Ata që nuk e respektojnë ndalesën, do të gjobiten me rreth gjashtë dollarë.

Qyteti i Osakës do të zgjerojë hapësirat e veta të ndalimit të duhanit në mbarë qytetin, për të rritur sigurinë, pastërtinë dhe imazhin e tij si destinacion ndërkombëtar turizmi – kanë vlerësuar zyrtarët e qytetit në një deklaratë të shkruar në fillim të muajit. “Kjo nismë synon jo vetëm që të zbukurojë qytetin, por edhe të ofrojë siguri dhe mjedis të rehatshme jetese për banorët dhe vizitorët”.

Ligjet kombëtare në fuqi ndalojnë pirjen e duhanit në hapësira, si restorantet, zyrat dhe transporti publik dhe disa qytete kanë ndalesa për hapësira publike. Me Ligj ndalohet duhani edhe për njerëzit nën 20 vjeç, të cilëve nuk lejohet as t’u shiten cigaret.

Megjithatë, në mbarë Japoninë është e zakonshme që në Aeroporte, Stacione trenash dhe ndërtesa të tjera publike të ketë dhoma të veçanta për duhan.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) llogarit se numri i japonezëve të cilët tymosin duhan dhe cigare të llojeve të ndryshme pothuajse është përgjysmuar, në dy dekadat e fundit – duke rënë prej 32% në vitin 2000 në 16% më 2022.

Një anketim i kryer prej Ministrisë japoneze të Shëndetësisë ka treguar se 14.8% e të rriturve tymosin. Qeveria vendase synon që kjo shifër të bjerë në 12% në shkallë vendi.

Krahasuar me atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku më 2022, 19.8% – ose një në 5 persona – e amerikanëve të rritur konsumonin produkte duhani – ka bërë të ditur Qendra për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com