Organizon bixhoz në shtëpinë e tij në Kamenicë, arrestohet 28 vjeçari

Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar për shkak se ka organizuar skema piramidale dhe bixhoz të jashtëligjshëm.

Sipas komunikatës, i dyshuari ka ushtruar këto veprimtari në shtëpinë e tij në Kamenicë.

Në shtëpinë e 28 vjeçarit, P.G., Policia ka gjetur dhe sekuestruar: një (1) tavolinë pokeri, disa pajisje për lojëra të fatit, letra bixhozi si dhe një sasi e konsiderueshme e alkoolit pa dokumentacion përcjellës.

Provat materiale të gjetura janë konfiskuar nga ana e Inspektorëve përkatës si dëshmi për Gjykatën kurse i dyshuari është arrestuar dhe intervistuar në bazë të procedurave ligjore.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë dhe rasti me kallëzim penal “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” procedohet për në Prokurorinë Themelore në Gjilan.