Organizimi i iftareve pa respektuar masat anti-COVID-19, mbyllet një lokal dhe gjobiten 35 të tjerë

Janë gjobitur 35 lokale të gastronomisë dhe një tjetër është mbyllur pasi nuk janë respektuar masat e vendosura nga ekzekutivi kosovar për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 në rajonin e Ferizajt.

Mbrëmë, gjatë një aksioni të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në bashkëpunimi edhe me Policinë e Kosovës është vërejtur se nuk është duke u zbatuar distanca e nevojshme në lokalet të cilat po organizojnë pritjen e iftarit.

“Agjencia e Ushqimit dhe Policia mbrëmë kanë zhvilluar një aksion për mbikëqyrje të zbatimit të masave anti-Covid në regjion të Ferizajt, nga i cili ka rezultuar me gjobitjen e 35 lokaleve dhe është mbyllur një”, ka thënë Lamir Thaçi, zëdhënësi i AUV për KALLXO.com.

Të gjitha lokalet e gastronomisë që organizojnë pritjen e iftarit duhet t’i respektojnë disa masa.

“Lokalet e gastronomisë të cilat kanë organizuar iftare duke tejkaluar numri maksimal i personave brenda një lokali në proporcion me hapësirën për metër katrorë. Secila tavolinë nuk duhet të tejkaloj numrin mbi 4 persona dhe distanca e ulëseve mes tavolinave të ndryshme të jetë së paku një metër. Aty ku nuk janë zbatuar pikat e vendimit të qeverisë inspektorati ka shqiptuar gjoba, po ashtu janë njoftuar që masa tjetër do të jetë mbyllja”, ka thënë ai.

“Nga 35 gjobat e shqiptuara në rajonin e Ferizajt, 7 janë shqiptuar në Shtime ndërsa 2 gjoba janë shqiptuar në Kaçanik dhe po ashtu  një lokal është mbyllur për mos krijim te kushteve për distancë, duke lejuar shërbimin edhe qëndrimin e klientëve në këmbë”, ka deklaruar Thaçi.