Foto: Faton Peci, Facebook

Organizimi i 'Darkës së Lamës', kabineti i presidentes Osmani i reagon ministrit Peci

“Darka e Lamës”, e shtruar nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci mbrëmjen e 02.12.2024, në ambientet e një restauranti në Prishtinë, ka mbledhur përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ambasadorë e zyrtarë të shtetit.

I pranishëm ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili e ka falënderuar ministrin Peci “që i ka bërë bashkë”.

Kurti në këtë darkë, ishte i ulur në sofër bashkë me ministrin Peci, shefin e AKI-së, Petrit Ajetin, kryetarin Podujevës, Shpejtim Bulliqin.

Gjatë fjalimit, ministri Faton Peci ka thënë se këtë vit, “Darka e Lamës” është edhe një nderim për trashëgiminë dhe një reflektim mbi përpjekjet për të zhvilluar bujqësinë dhe sigurinë ushqimore të Kosovës.

Gjatë fjalimit ai e përmendi edhe ideatorin e “Darkës së Lamës”, ish-presidentin Ibrahim Rugova.

“Kremtimi i saj rikthen në kujtesë amanetin e Dr. Ibrahim Rugovës, që një nga prioritetet e tij ishte sigurimi i bukës së motmotit për qytetarët tanë”- ka thënë ai.

Ky organizim ka nxitur reagimin e Presidencës së Kosovës.

Këshilltari i Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka thënë se në përputhje me vizionin e Presidentit Rugova, Darka e Lamës është një organizim nën patronatin e institucionit të Presidencës.

Kupina ka thënë se kjo është traditë të cilën presidentja Osmani e ka vazhduar çdo vit, përfshirë sivjet më 26 tetor 2024.

“Në përputhje me vizionin e Presidentit Rugova, Darka e Lamës është një organizim nën patronatin e institucionit të Presidencës, institucion ky që sipas kushtetutës përfaqëson unitetin e popullit, e poashtu mbahet në tetor për shkak të kohës kur mblidhen dhe vilen të mirat e tokës sonë. Pra, ashtu siç është nisur nga Presidenti Rugova, ashtu është vazhduar deri tash nga Presidentja Osmani”- ka thënë ai.

Sipas tij, çdo vit nderohen grupe të ndryshme, ndaj përgjatë kësaj pjese të mandatit të Presidentes Osmani, kjo darkë është shtruar për: trupin diplomatik, Policinë e Kosovës në kampin “Enver Zymberi”, banorët e Shtëpisë së të Moshuarve dhe më 26 tetor të këtij viti, me fëmijët dhe të rinjtë e fshatit SOS.

“Ruajtja e kësaj trashëgimie është thelbësore për ta vazhduar traditën tonë kombëtare dhe institucionale”- ka thënë ai.