Organizatori i protestave kundër shtrenjtimit të rrymës: Qytetarët po shantazhohen

Organizatori i protestave të qytetarëve kundër shtrenjtimit të rrymës, Dibran Hoxha, tha se qytetarët po shantazhohen.

Kështu ka thënë ai në emisionin “Kallxo Përnime” në debatin për çmimin e energjisë.

“Si prej linjës së kryeministrit e deri te dikasteret më të vogla na kanë futur në një shantazh që duhet patjetër të rritet çmimi i energjisë”, ka thënë Hoxha.

I njëjti ka thënë se qytetarët nuk duhet ta pranojnë një shantazh të tillë.

“Kryeministri po del e po na thotë që ose duhet me e shkyç energjinë, ose duhet me subvencionu ose me rritë çmimin”, ka thënë Hoxha.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës, Ministria e Ekonomisë dhe ZRrE janë bërë argat të KEDS-it.

“Këta po thonë t’ia rritim fitimin KEDS-in, t’i faturojmë qytetarët”, është shprehur Hoxha.

Ai tha se nuk është kërkuar nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të takohen, prandaj, sipas tij, protesta ka qenë mjeti i nevojshëm demokratik që të shprehen pakënaqësitë e tyre.