Organizatat rinore kërkojnë ndihmë financiare nga Ministria e Kulturës

45 Organizata Rinore nga e gjithë Kosova kanë nënshkruar një peticion drejtuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS), duke  kërkuar ndihmë financiare nga kjo ministri.

Sipas këtij peticioni, Organizatat Rinore dhe qendrat e tyre rrezikojnë shuarjen, nëse nuk marrin përkrahje nga Ministria e Kulturës.

“Kërkojmë nga ju që të na përkrahni financiarisht që ne t’i ofrojmë shërbimet tona për të rinjtë e Republikës së Kosovës. Ne deri tash me mundësitë minimale kemi ofruar shërbimet tona, por që tash e tutje duket se do të jetë e pamundshme për vazhdimin e tyre duke pasur parasysh që financat tona tashmë kanë rënë në zero”, thuhet ndër të tjera në këtë peticion.

Ministria e Kulturës në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se nuk janë deklaruar dhe nuk ka asnjë qëndrim se nuk do të përkrahen këto organizata, duke e konsideruar këtë peticion të paarsyeshëm dhe të pavend.

“Si ministri i sigurojmë të gjitha organizatat se në momentin e parë kur të lirohen masat e kufizimet e vëna nga ana e institucioneve gjegjëse, ne do t’i inicojmë thirrjet publike për përkrahje të organizatave rinore sipas procedurave që parashihen me rregullativën ligjore në fuqi, gjë për të cilën vet organizatat rinore janë në dijeni për këtë gjë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës, përmes email-it.

Në anën tjetër, Ideal Zhaveli nga Këshilli i Veprimit Rinor Lokal në Gjakovë, për KALLXO.com thotë se deri më tash nuk ka pasur asnjë thirrje publike për përkrahjen e organizatave rinore, ndërsa për ato kulturore po.

Sipas tij, zakonisht thirrjet publike bëhen në fillim të muajit shkurt të çdo viti, ndërsa përkrahja është e domosdoshme në këtë kohë të pandemisë.

“Në fillim të vitit i ndajnë në disa faza me thirrje publike. Tash është gati muaji maj dhe nuk është hapur asnjë thirrje. Që i bie dy thirrje më pak, në të cilat organizatat të cilat varen prej tyre, nuk kanë asnjë mundësi për me mbijetu”, ka thënë Zhaveli.

Përveç Ministrisë së Kulturës, ky peticion i është dërguar edhe Ministrisë së Financave dhe Asosacionit të Komunave të Kosovës.