
Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Organizatat feministe në Mitrovicë kërkojnë drejtësi për gratë e vrara nga partnerët e tyre
“Marshojmë kundër vrasjes së grave” e “Liri, barazi, solidaritet” ishin thirrjet me të cilat një grup i qytetarëve të Mitrovicës marshuan nga Komuna e Mitrovicës së Jugut drejt Gjykatës Themelore në Mitrovicë për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, më 08.03.2025.
“Ky marsh, le të jetë për solidaritetin, jetën, përkujdesjen e revoltën” – tha Lorida Sadiku nga organizata “Marshojmë për njana-tjetrën”.
Vrasja e Erona Coklit, e Gjyljeta Ukellës, vrasja e gruas nga burri i saj në Graçanicë dhe tentimi për vrasje të gruas në Fushë Kosovë ishin disa prej ngjarjeve që tronditen vendin, e që u trajtuan në fjalimin e organizimit të sotëm.


Ndëshkimin e punëtoreve teknike të Kuvendit të cilat grevuan për paga dhe kushte dinjitoze të punës e amnistimi i dhunës në familje nw spektakle televiziv, dhunimi i gruas me probleme të shëndetin mendor përderisa ishte nën përkujdesjen e institucioneve në Gjilan e gjithashtu dhuna dhe trafikimi i të miturës pas dështimeve të institucioneve për ta rehabilituar e mbrojtur ishin çështjet e tjera që u thanë në fjalim.
“Këto nuk janë raste të izoluara por pasoja tragjike të patriarkalitetit që mundëson dhunën fizike, emocionale, seksuale e ekonomike që lëshohet përmbi gratë në përditshmëritë tona private dhe publike”- tha Sadiku.
Ndër të tjera, gratë mitrovicase kërkuan drejtësi edhe për gratë muslimane që bartin besimin e tyre dukshëm.
E drejtësi për viktimat e femicidit në Kosovë kërkoi edhe organizata tjetër feministe në Mitrovicë, Fourth Wave.
“Këta nuk janë veç numra, janë emra të grave të vrara nga burrat”- ishte thirrja e shkruar në flamurin e shpalosur në shesh të Mitrovicës përmes të cilës organizata bën thirrje që vrasja e grave duhet të trajtohet si urgjencë kombëtare.
“Jetët e humbura të grave nuk mund të mbeten thjesht statistika. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë që të luftojmë kolektivisht deri në çrrënjosjen e femicidit dhe derisa çdo jetë e gruas të trajtohet me dinjitet dhe shteti duhet të ndërrmarrë hapa konkret për të çrrënjosur sistemin shtypës të patriarkatit dhe për të mbrojtur në mënyrë aktive jetët e grave”- thuhet në njoftimin e Fourth Wave.
Xhyla Gashi, Diana Kastrati, Antigona Morina, Donjeta Pajazitaj, Miradie Hetemi, Zejnepe Berisha, Dafina Zhubi, Flora Omuri, Igballe Llalloshi, Sevdije Berisha, Mervete G, Emine Abazaj, Valbona Marku, K. Ndrecaj, Hatije Dina, Armenda Aliu, Sabile Mavrovqani, Makfire Zuka, Sebahate Morina, Marigona Osmani, Lirie Qerimaj,Besjana Rama, Shqiponje Isufi, Sanije Godanci, Hamide Magashi, Liridona Ademaj, Erona Cokli, Gjyljeta Ukella dhe M.Zh- janë 29 gratë e listuara nga organizata, për të cilat thonë se janë gra të vrara nga burrat.
Foto: Fourth WaveGjyljeta Ukella u vra nga i dyshuari bashkëshorti i saj, në banesën e tyre në Pejë, mëngjesin e datës 16.04.2024. Kjo ishte vrasja e dytë e një gruaje brenda pesë ditësh në Kosovë, pasi në Ferizaj u vra 21-vjeçarja, Erona Cokli nga i dyshuari ish-bashkëshorti i saj, Valon Aliu më 12.04.2024. Në kujtim të të gjitha grave dhe vajzave të vrara në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani e kishte shpallur ditë zie të mërkurën – 17.04.2024.
https://kallxo.com/lajm/dy-gra-vriten-brenda-pese-ditesh-ne-kosove/