Foto: KALLXO.com

Organizatat e shoqërisë civile reagojnë ndaj Vetëvendosjes për bojkotin e “Debat Përnime”

Një grup prej dhjetëra organizatave jo-qeveritare kanë reaguar ndaj bojkotit të subjektit politik, Lëvizja Vetëvendosje për mos të marrë pjesë në emisionin “DebatPërnime”, prodhim i dy organizatave, Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova.

Në reagimin e tyre, OJQ-të kanë theksuar që bojkoti për mospjesëmarrje në “Debat Përnime”  e cenon interesin publik dhe informimin e drejtë të qytetarëve në kohë zgjedhjesh.

“Ne, organizatat e poshtëshënuara e kemi marrë me shumë shqetësim vendimin e Lëvizjes Vetëvendosje me të cilin kjo parti ka vendosur të bojkotojë debatin zgjedhor të organizuar nga organizatat e shoqërisë civile, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese BIRN dhe Internews Kosova, organizata anëtare e International Fact-checking Network, IFCN dhe European Factchecking Standards Network, EFCSN dhe fituese të çmimeve ndërkombëtare për gazetari hulumtuese” – thuhet në reagim.

Partia Lëvizja Vetëvendosje mori vendim bojkotimin e tre televizioneve në vend, duke përfshirë edhe formatin e debateve zgjedhore “Debat Përnime”.

“Vendimi për të bojkotuar debatin e organizuar nga organizata të certifikuara të verifikimit të fakteve  dhe organizata me renome në gazetari hulumtuese cenon interesin publik dhe informimin e drejtë të qytetarëve për ofertën politike të partive politike dhe llogaridhënies” – thuhet tutje në reagim.

Ndaj bojkotimit të “Debat Përnime” ka reaguar edhe drejtoresha e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese dhe drejtuesja e emisionit “Debat Përnime”, Jeta Xharra.

Reagimi i plotë:

Reagim publik ndaj vendimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të bojkotuar formatin e vetëm të programeve televizive zgjedhore të verifikimit të fakteve në Zgjedhjet Parlamentare 2025 në Kosovë.

Ne, organizatat e poshtëshënuara e kemi marrë me shumë shqetësim vendimin e Lëvizjes Vetëvendosje me të cilin kjo parti ka vendosur të bojkotojë debatin zgjedhor të organizuar nga organizatat e shoqërisë civile, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese BIRN dhe Internews Kosova, organizata antare e International Fact-checking Netëork, IFCN dhe European Factchecking Standards Netëork, EFCSN dhe fituese të çmimeve ndërkombëtare për gazetari hulumtuese.

Janë pikërisht emisionet e këtij ekipi, programet “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë” që janë përjashtuar nga televizioni publik pasi që kanë ekspozuar monopolin e oligarkëve duke ia shpëtuar kështu buxhetit të Kosovës 14 milion euro, andaj është absurde për VV-në të bojkotojë këto emisione në emër të bojkotit ndaj oligarkëve.

Vendimi për të bojkotuar debatin e organizuar nga organizata të çertifikuara të verifikimit të fakteve  dhe organizata me renome në gazetari hulumtuese cënon interesin publik dhe informimin e drejtë të qytetarëve për ofertën politike të partive politike dhe llogaridhënies.

Debatet politike të udhëhequra nga ekipi i Kallxo.com i kanë ofruar votuesëve të Kosovës sfidim të programeve partiake që nga viti 2005, duke na informuar neve qytetarëve për ofertën e partive politike në mënyrë të paanshme, ta balancuar dhe të pavarur. Në këto debate pyetjet e qytetarëve dhe të shoqërisë civile kanë qenë të përfaqësuara në mënyrë gjithpërfshirëse. Andaj bojkoti i VV-së, mbetet për ne i pakuptueshëm dhe brengosës.

Bojkoti i formateve të debatit të cilat udhëhiqen nga standardet e Fact Check u pamundëson qytetarëve të Kosovës informim të saktë gjatë zgjedhjeve. Ky veprim i hapë rrugë mundësisë së abuzimit të informacionin dhe shprëndarjes së dezinformatës.

Debat “Përnime” ofron një platformë të hapur edhe për barazinë gjinore dhe etnitë tjera në Kosovë. Ne vlerësojmë se refuzimi për tu bërë pjesë e organizimeve të tilla cënon hapsirën e grave në media.

Ne organizatat e poshtëshënuara i bëjmë thirrje LVV-së të heqë dorë nga ky vendim dhe tu lejojë kandidatëve për deputet, sidomos kandidateve gra që lirshëm të marrin pjesë në debate të zhvilluara mbi standardet e verifikimit të fakteve.

  • Fourth Wave (FoW)
  • Qendra per Zhvillimin e Grupeve Shoqerore – CSGD
  • Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
  • Art Polis
  • KIPRED
  • Activism Roots
  • Rrjeti i Grave te Kosoves (RrGK)
  • KIPRED
  • Pishtaret
  • Forumi per Iniciativa Qytetare (FIQ)
  • Fondacionin per te Drejtat e Kafsheve
  • Community Building Mitrovica
  • Instituti Edutask
  • Instituti Sekhmet
  • Keshilli Rinor Kosovar (KYC)
  • YMCA Movement
  • NGO Voice of Roma, Ashkali and Egyptians
  • Youth Initiative for Human Rights (YIHR)
  • Democracy for Development (D4D)
  • Toka