Ramiz Lladrovci, PDK, Drenas. Foto: Atdhe Mulla

Organizatat e Grave denoncojnë presionin e Ramiz Lladrovcit ndaj një zyrtareje komunale në Drenas

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Lobi për Barazi Gjinore në Kosovë (Lobi) kanë shprehur shqetësim në lidhje me presionin që, sipas tyre, po i bëhet koordinatores së Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut dhe Zyrtare për Barazi Gjinore (ZBGJ) dhe Mundësi të Barabarta (MB) në Drenas, Zahrie Podrimqaku-Subashit, nga kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci.

Sipas këtyre organizatave, që nga marrja e postit të kryetarit të komunës, Ramiz Lladrovci po ushtron presion të vazhdueshëm për të larguar nga puna Podrimqaku-Subashin.

“Në janar të këtij viti- kur Kryetari i Komunës personalisht ka thirrur atë në zyrë për t’i bërë presion që të largohet nga vendi i punës, kundërligjshëm dhe duke mos respektuar ligjet e rekrutimit dhe të transferimit. Presionin ndaj saj Lladrovci e ka ushtruar me qëllim që në pozitën e Podrimqaku-Subashit ta vendosë nusen e djalit të motrës së tij”, thuhet në komunikatë.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me të parin e kësaj komune, Ramiz Lladrovci por ai nuk ka qenë i qasshëm për një koment të menjëhershëm.

Organizatat thonë se më 1 mars të këtij viti, Lladrovci ka marrë vendim për transferim të përkohshëm të Podrimqaku-Subashit në pozitën ‘Shefe e shërbimeve të Kuvendit’ në të njëjtën kategori funksionale.

Sipas RrGK dhe Lobit, Podrimqaku-Subashi ka kundërshtuar këtë vendim duke u bazuar në Ligjin për Shërbimin Civil.

“Ndër arsyet e refuzimit Podrimqaku-Subashi përmend se transferimi i saj është “i qëllimshëm, i paarsyetuar, pa afat kohor, i dhunshëm dhe i detyruar”. RrGK dhe Lobi duke kujtuar punën dhe aktivizmin e Podrimqaku-Subashit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut e me theks të veçantë të drejtat e grave, kontribut i cili prek të gjitha periudhat nëpër të cilat ka kaluar vendi, përmes këtij reagimi shpreh përkrahje të pa rezervë për Podrimqaku-Subashin.”, është thënë më tej.

Mes tjerash është kërkuar nga Komuna e Drenasit, që të ndërpritet presioni ndaj kësaj zyrtareje dhe t’i lejohet hapësira e merituar në ushtrimin e funksionit publik në të mirë të qytetarëve.