Burgu 325 në Tiranë | Foto ilustruese nga : LSA

Organizata Terre des hommes kërkon lirimin e të miturve nga paraburgimi

Organizata Terre des hommes Albania i kërkoi të martën Ministrisë së Drejtësisë lirimin nga paraburgimi të 18 të miturve pas situatës së krijuar nga Covid 19 dhe kushte higjene e përkrahje për ata që nuk mund të lirohen.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, organizata e përkujdesit për fëmijët në nevojë, thotë se ishin 18 të mitur në paraburgim, ndërsa kërkon që për këtë kategori të përshpejtohet aplikimi i masave alternative.

“Gjatë pandemisë COVID-19, Terre des hommes Albania i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të varësisë, të përshpejtojnë aplikimin e masave alternative për të gjithë të miturit që ndodhen në paraburgim”, thuhet në thirrjen që Terres des hommes i bën ministrisë.

Sipas deklaratës këta të mitur nuk kishin në mjediset e paraburgimit kushtet për kujdes të domosdoshëm në situatat e pandemisë. “Në kushtet e paraburgimit, rekomandimet më të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetit, si larja e shpeshtë e duarve, sanitarizimi i hapësirave të përbashkëta dhe distancimi social, janë të pamundura për t’u zbatuar”, thuhet në deklara.

Organizata kërkon nga Ministria e Drejtësisë marrjen e masave urgjente për të ulur shanset e infeksionit dhe transmetimit të COVID-19 në institucionet e drejtësisë penale, ndërsa rekomandon që për të miturit që shkelin ligjin të aplikohen masa alternative.

Po ashtu organizata bën thirrje për masa më të buta dhe me miqësore të karantinës për të miturit. “Duhet të sigurohen masa karantine miqësore ndaj fëmijëve, të cilat respektojnë të drejtat e njeriut dhe të drejtat e fëmijëve, siç janë këshillimi me video, komunikimi me familjet, aksesi në shërbime shëndetësore dhe në informacion”, thuhet në deklaratë. (reporter.al)