Foto: Ilustrim

Organizata 'Pishtarët' ngre dyshime se ZRrE lëshoi licenca fiktive në lidhje me operimin e hidrocentraleve në Deçan

Shpresa Loshaj, përfaqësuese e Organizatës Joqeveritare ‘Pishtarët’ i është drejtuar me letër zyrës së kryeministrit dhe Ministrisë së Ambientit dhe Infrastrukturës në lidhje me licencat që Zyra e Rregullatorit të Energjisë i ka lëshuar kompanisë ‘KELKOS Energy’ në lidhje me operimin e hidrocentraleve në Grykën e Deçanit.

Loshaj përmes letrës ka kërkuar llogari nga institucionet në lidhej me licencat dhe bazën se si janë lëshuar ato licenca.

Organizata ka akuzuar Zyrën e Rregullatorit se ka lëshuar licenca fiktive për prodhim të energjisë ndonëse kompania nuk është pajisur me leje mjedisore.

“Ne po u sjellim në vëmendje faktin që po në atë mbledhje, ZRrE, dhe sipas tyre të udhëzuar nga ish-Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, gjithashtu ka lëshuar licenca fiktive për prodhim të energjisë elektrike për hidrocentralet në Lumbardhin e Deçanit, edhe pse aplikuesi nuk kishte përmbushë kriterin paraprak: pajisen me leje mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet në letër.

Gjithashtu, Loshaj përmes letrës ka shkruar se operatori ekonomik ‘KELKOS…’ prodhon energji pa ndërprerë që nga viti 2016.

Tutje Loshaj ka shkruar se ZRrE ka arsyetuar vendimet e lëshuara vazhdimisht, gjë që sipas saj, po e trasojnë rrugën për shkelje të reja në lidhje me degradimin e mëtejshëm të mjedisit.

“I nderuar ministër dhe zëvendësministër, ne e kuptojmë mandatin dhe pavarësinë e ZRrE dhe Ministrisë, por nuk është hera e parë që ZRrE i arsyeton vendimet e tyre ose në mungesë të udhëzimeve nga Ministria ose si rezultat i udhëzimeve nga Ministria, dhe në anën tjetër deklarohen se janë të pavarur. Duke marrë parasysh këto zhvillime, kam frikë që shtyrje të tilla të ligjit po bëhen mbulojë për vazhdim të degradimit të mjedisit dhe më tepër po hedhin mjegull mbi përgjegjësitë dhe kriteret ligjore”, thuhet më tej në letër.

Çështja e ndërtimit të hidrocentraleve u debatua në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, të moderuar nga Jeta Xharra, në muajin shtator të vitit 2018.

KALLXO.com ka kërkuar komente nga Zyra e Kryeministrit, Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit dhe është në pritje të komenteve nga ana e tyre.

 

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.