Organizata "Pishtarët": Ministria ka vendosur t'i japë leje mjedisore KELKOS-it

Organizata “Pishtarët” po pretendon se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka vendosur t’i japë leje mjedisore kompanisë KELKOS.

Në një letër drejtuar Ministrisë, organizata ka kërkuar llogari se pse KELKOS është pajisur me dy leje të veçanta mjedisore kur ky investitor e ka vetëm një pëlqim mjedisor për hidrocentralet në Deçan, gjë që sipas organizatës është e kundërligjshme.

Për të marrë lejen mjedisore nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit KELKOS është dashur që të bëjë legalizimin e trasesë, të pajiset me leje ujore dhe ta rehabilitojë Grykën e Deçanit.

KELKOS-it i ishte ndalur prodhimi i energjisë elektrike më 14 tetor në tre hidrocentrale te Gryka e Deçanit dhe pas një muaji, në mbledhjen e nesërme do të diskutohet pajisja e këtij investitori me leje për prodhimin e energjisë elektrike.

“Pishtarët” më tej kanë pretenduar se ekziston vetëm një raport i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis në të cilën hidrocentralet e KELKOS paraqiten si kaskadë.

Më tej, organizata në e-mailin drejtuar Ministrisë pretendon se në një komunikim me zyrtarë të MEA-s e kanë konfirmuar se KELKOS është duke tentuar t’i ndajë hidrocentralet, gjë që sipas Ministrisë është e palejueshme.

Gjithashtu në e-mail thuhet se KELKOS nuk ka bërë asnjë rehabilitim që nga fillimi i Grykës së Deçanit e deri në fund të lokacionit, të njohur si Zalli i Rupës.

“Ne takimin tone me komisionin shqyrtues, znj. Ymeri ka paraqitur para nesh se Kelkosi nuk ka bere asnje rehabilitim qe nga fillimi i Grykes e deri ne fund te Zalli i Rupes. Ne e kemi percjelle nga afer gjendjen ne Gryke te Deçanit dhe asgje nuk ka ndryshuar prandaj edhe ky vendim vjen si kundershtim i qendrimeve te komisionit qe ne filim qe vazhdimisht kane deklaruar se kelkosi nuk i permbushe kushtet, si dhe evidences ne teren. Duke konsideruar te gjitha keto, dhe duke marre parasysh vendimin e juaj, ju lutem na njoftoni: Me çfare baze ligjore erdhet ne perfundim te ndani keto hidrocentrale, a kerkuat opinion ligjor per kete veprim?  Si i percaktuat se cilat ndikime ne mjedis i perkasin cilit hidrocentral? Psh. ju jeni shume mire ne dijeni se shakterrimet ne Zalle te Rupes qe Kelkosi po ju shmanget jane bere per te marre zalle per te ndertuar te tri hidrocentralet me poshte, qe perfshijne edhe Belajen dhe Deçanin. Pra nuk eshte e mundur qe Belaja dhe Decani te ndahen nga shkaterrimet ne Zalle te Rupes. (Shihni te bashkangjitur raportin e inpsektoratit te mjedisit ku tregon per demet e Kelkosit ne mjedis, perfshire edhe marrjen e Zallit per ndertime te hidrocentraleve me poshte, Belaja dhe Deçani).  Gjithashtu, si u siguruat ju qe kaptazhat e ujit pergajte Grykes dhe afer hidrocentralit Belaje dhe Deçan jane kthyer ne gjendje te meparshme? Pasi komisioni shqyrtues eshte dashte te dale edhe ne teren te verifikoje rehabilitimin, ju utem na dergoni edhe evidencen qe komisioni shqyrtues e kane sjelle nga tereni”, thuhet në e-mailin e Pishtarëve.

Lidhur me këto pretendime KALLXO.com ka bërë përpjekje të marrë një përgjigje nga avokati i KELKOS-it, Arianit Koci, por deri në momentin e publikimit të këtij raporti, ai nuk është përgjigjur.

Zyra e Rregullatorit për Energji nesër në mbledhjen e saj të radhës pritet të shqyrtojë aplikacionin e kompanisë KELKOS për prodhimin e energjisë elektrike në hidorocentralin e Deçanit.

KELKOS-it i ishte ndalur prodhimi i energjisë elektrike më 14 tetor në tre hidrocentrale te Gryka e Deçanit.

“ ZRrE ka ndaluar prodhimin e rrymës në tr hidrocentrale, në Deçan, Belaja dhe Lumbardhi 2 dhe Deçani në mungesë të dokumenteve nga ministria e linjës Kelkos është shkyqyr nga operimi. Asnjë aktivitet nuk mund të bëhet në mungesë të licencës nga ZRrE përndryshe  do të penalizohet”, kishte deklaruar nga ZRrE.
Drejtori i ZRrE-së Petrit Pepaj kishte  thënë se do të mbetet deri në rilicensimin e kësaj kompanie.

KELKOS ka katër hidrocentrale operative në Deçan, përkatësisht hidrocentralet ‘Lumbardhi’, ‘Belaja’, ‘Deçani’ dhe ‘Lumbardhi II’, megjithëse vetëm hidrocentrali i Lumbardhit është treguar i pajisur me licencë të operimit nga Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë.

Organizata të ndryshme për mbrojtjen e ambientit dhe shoqëria civile kishin reaguar për mënyrën se si kompania Kelkos Energy zhvillon punimet në hidrocentralet në Grykën e Deçanit.

Ministri Blerim Kuçi, në një takim me qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile ka thënë se pas vizitës në Deçan i ka ardhur marre për degradimet që i ka parë në atë zonë.

“Çështjen e ndërtimit dhe vrazhdësinë e ndërtimit e kam shumë të qartë. Ne do të mundohemi të insistojmë në përmirësimin e këtyre kushteve sa të mundemi. Kërkesat tuaja janë legjitime dhe kemi me u mundu me i adresu” tha Kuçi.

Ndërsa tutje Kuçi tha se nuk ka shkuar t’i shohë dëmtimet për shkak se i ka ardhur marre për ato degradime.

“Nuk kam shku me e pa se më ka ardh marre se çka ka ndodh aty. Por gjithashtu ju duhet ta keni të qartë që unë s’kam qenë më parë në këtë post dhe nuk jam përgjegjës për këtë degradim si dhe duhet të punojmë t’i adresojmë këto çështje sa të mundemi sepse unë sot jam këtu e nesër s’jam. Çështjen e ndërtimit dhe vrazhdësinë e ndërtimit e kam shumë të qartë. Ne do të mundohemi të insistojmë në përmirësimin e këtyre kushteve sa të mundemi. Kërkesat tuaja janë legjitime dhe kemi me u mundu me i adresu”, kishte thënë Kuçi.