Organizata mjedisore dorëzojnë ankesë në Komunitetin e Energjisë në Vjenë kundër katër hidrocentraleve në Parkun Kombëtar "Sharri"

Tri organizata mjedisore kanë njoftuar më 14.11.2024 se kanë dorëzuar ankesë në Komunitetin e Energjisë në Vjenë kundër katër hidrocentraleve në Parkun Kombëtar “Sharri”.

Kosova është pjesë e këtij Komuniteti që nga viti 2005, ndërsa organizatat kanë kërkuar hetim mbi mënyrën e ndërtimit dhe funksionimit të këtyre hidrocentraleve.

Egzona Shala Kadiu nga organizata “Eco Z”, tha se ankesa paraqet të dhënat për shkeljet rreth hidrocentraleve që nga viti 2006, kur ka filluar studimi i fizibilietetit.

“Sot në emër të organizatave “Eco Z”, “Pishtarët” RiverWatch” kemi dërguar ankesë në të cilën gjenden të gjitha të dhënat faktike, prej vitit 2006 kur ka filluar studimi i fizibilitetit për kapacitetin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Sharrit, në Lepenc, e deri në ditët e sotme. Të gjitha këto të dhëna të grumbulluara nga aspekti ligjor si dhe nga administrativ janë identifikuar që kanë shkelje brenda procedurës së licencimit të këtyre hidrocentraleve në parkun kombëtar” – ka thënë ajo.

Ndërsa aktivisti mjedisor Ali Sefaj tha se Kosova nuk ka resurse për të falur dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kauzës, për të mbrojtur ujërat në Kosovë.

“Ne nuk kemi resurse për të falur, Kosova në aspektin hidrologjik është “pjatë e përmbysur” që ujërat tona menjëherë dalin jashtë Kosovës. E ajo çka ne duhet me bo, duhet me ngritë zërin për arsye se argumentet ligjore janë në anën tonë. E drejta në përparësinë e shfrytëzimit është në anën tonë” – tha ai.

Kurse aktivisti tjetër, Ardian Ndrecaj, tha se hidrocentralet e ndërtuara në Parkun Kombëtar “Sharri” shkelin edhe Ligjin për Ujërat në Kosovë. Ai tha se Ligji parasheh që së pari përdorimi i ujit duhet të ketë prioritet banorët lokalë, e më pas përdorimin komercial, por sipas tij, me këto hidrocentrale ka ndodhur e kundërta.

“Përpos ankesës, këto hidrocentrale bien në ndesh edhe me Ligjin për Ujërat, ligjin e vetë Kosovës, bie ndesh me prioritetet të cilat i parasheh Ligji për Ujërat, i cili së pari është se uji duhet së pari të jetë për banorët lokalë. Mandej në fund të prioriteteve gjendet për përfitime komerciale, përderisa deri sot kjo ka qenë e përmbysur dhe ujërat janë përdorur së pari për përfitime komerciale, mandej janë përdorur për pjesën tjetër” – tha Nrecaj.

Me qëllim për të kundërshtuar këto hidrocentrale në Parkun Kombëtar “Sharri”, këto organizata kanë paralajmëruar për krijimin e një peticioni, të cilin u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta nënshkruajnë.