Organizata “Integra” e akuzon Radio Kosovën për censurë në dokumentarët për të zhdukurit

Organizata “Integra Ngo”, përmes një reagimi publik kanë denoncuar siç e kanë quajtur censurimin nga ‘Radio Kosova’ ndaj transmetimit të audio dramave të bazuara në rrëfimet e familjarëve të personave të pagjetur nga lufta, specifikisht për një rrëfim të një gruaje serbe ka familjarë zhdukur nga lufta e fundit.

Sipas organizatës bashkëpunimi i dakorduar me transmetuesin publik u ndërpre pasi ata nuk pranuan të ritransmetonin një audio-dokumentar që kishte personazh një grua serbe, burri i së cilës ishte i zhdukur në luftë.

Drejtori i “Radio Kosovës” Ernest Luma, ka hedhur poshtë akuzat e organizatës duke thënë se nuk kanë deshur të censurojnë materialin por ka qenë përpjekje për të mos interferuar në procese gjyqësore.

Reagimit të Integras sot i janë bashkëngjitur edhe disa organizata dhe individë.

Sipas Integras,  projekti për transmetimin e audio dokumentarëve kishte nisur si projekt dhe është realizuar nën regjinë e Kushtrim Koliqit. Projekti parashihte ciklin prej 10 audio dramave me  titullin “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, duke kontribuuar në ngritjen e vetëdijes kolektive dhe njohjen publike të vuajtjeve me të cilat familjarët e personave të pagjetur ballafaqohen tash e më shumë se 20 vjet.

Sipas Integras, bashkëpunimi me Radio Kosovën fillimisht kishte qenë korrekt dhe ishin dakorduar që dokumentaret do të transmetoheshin pa pagesë. Megjithatë, vet Kushtrim Koliqi ka treguar për BIRN si kishte nisur problemi që çoi në ndërprerjen, sipas tyre, arbitrare të bashkëpunimit nga Radio Kosova.

“Episodi i dytë konkretisht ka qenë historia e Olgës e cila ka qenë edhe pjesë e ekspozitës në parlamentin e Kosovës që e kemi organizuar ne, me katër histori, njëra prej të cilave ka qenë ajo e Olgës. Ne i kemi treguar dhe zotërinjve atje. Kur po flasim për histori të folur, ne nuk mund t’ia orientojmë diskutimin e dëshmisë së viktimës”, thotë ai.

Koliqit thekson se nuk mund të intervenojnë në dëshminë e viktimës, në këtë rast të gruas serbe që pretendon se shqiptarët ia kanë vrarë familjarët.

Megjithatë, drejtori i Radio Kosovës insiston se çështja ka pasur të bëjë me dëshirën për të mos intervenuar në çështje gjyqësore apo akuza për vrasje.

“Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë. Ka vazhduar deri në momentin sic po e quan Integra, në rrëfimin e një gruaje serbe, por nuk është ashtu sepse ka pasur dhe më herët rrëfime të komuniteteve të tjera për rrëfimet e luftës, në formatin që e ka pasur ai projekt i Integra-s. Në momentin kur indikohet në fajësi apo ju referohet gjërave të shpifura që janë demantuar me kohë, apo duke atribuar veprime ndaj një komuniteti tjetër, apo që aludohen aty, ndaj shumicës shqiptare në këtë rast, mendoj që jo të ndërpritej por të korrigjohej kjo pjesë. Ne e kemi kërkuar nga Integra që ta bëjë këtë por nuk kanë qenë të gatshëm dhe është ndërprerë bashkëpunimi”, thotë ai.

Drejtori Luma më tej thotë se  mbeten të hapur për bashkëpunimet në të ardhmen me këtë organizatë.

Koliqi ka shpjeguar tutje se dokumentarët janë realizuar duke buruar nga libri me të njëjtin titull dhe rrëfimet janë përzgjedhur nga  Qendra Burimore për Personat e Zhdukur.

“Një herë është bërë libri, në tre gjuhë, i promovuar dhe në Prishtinë dhe në Beograd dhe pas librit janë bërë audio dramat me artista profesionistë. Pra nuk e di çfarë kanë pritur të kenë, gjithsesi episodet do të jenë publike sepse ne do t’i transmetojmë”, thotë ai.