Ilustrim

Organizata e studentëve denoncon dëmtimin e gjësendeve të studentëve në konvikte gjatë karantinës

Organizata e studentëve “Paqja Studentore”  i ka bërë thirrje Policisë dhe Qendrës së Studentëve që t’i identifikojnë keqpërdoruesit e gjësendeve të tyre në konviktet të cilat tash e dy muaj po shërbejnë si qendër karantine për kosovarët e kthyer nga jashtë në kohën e pandemisë.

“Paqja Studentore u bën thirrje Qendrës së Studentëve dhe Policisë së Kosovës që të kontaktojnë me të gjithë studentët që janë dëmtuar dhe së bashku me ta t’i identifikojë dëmtuesit/vjedhësit eventualë të gjësendeve të tyre. Pas tërheqjes së gjësendeve të tyre, dhjetëra studentë kanë paraqitur ankesat e tyre që gjësendet e tyre personale, si: veshmbathje, kursime të parave etj, janë duke munguar ose janë dëmtuar plotësisht”, thuhet në reagimin e organizatës.

Në lidhje me këtë rast Fatmir Sfishta, Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës së Studentëve tha për KALLXO.com se nuk ka informatë të ketë pasur ndonjë rast që ka shfaqur ndonjë pakënaqësi apo ndonjë mungesë.

“Sigurisht  ‘Paqja Studentore’ ka qenë këtu i ka përcjellë, por unë nuk kam ndonjë rast individual që ka shpreh pakënaqësi, ose mungesë, por dëmtime nuk ka. Ka ende raste të izolimit, por për çdo rast veç e veç do të merremi ne dhe Polici”, tha Sfishta

Me  vendimin zyrtar të Qendrës të Studentëve më 15.5.2020, studentëve iu mundësua që t’i tërheqin nga dhomat e tyre gjësendet që i kishin lënë prej dy muajsh. Ndërsa sot sipas orarit zyrtar të paraqitur nga QS-ja, tërheqja e gjësendeve do të bëhej për studentët banues të Konvikteve III dhe VIII.

Sipas organizatës në fjalë  këto  janë veprime vulgare dhe të papranueshme që u janë bërë studentëve të Universitetit të Prishtinës, që banojnë në Qendrën e Studentëve.