Valdete Daka, KQZ FOTO- Atdhe Mulla

Organizata e Diasporës i reagon Valdete Dakës pas emisionit ‘Jeta në Kosovë’

Organizata jo- qeveritare “Germin” i ka reaguar kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, pas emisionit të mbrëmshëm “Jeta në Kosovë” i cili u emitua nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.

Janë disa deklarime të të parës së KQZ-së ndaj të cilave ka reaguar “Germin” e që kryesisht lidhen me votat nga jashtë Kosovës.

“Germin” ka reaguar edhe për ankesën që kjo OJQ kishte bërë në Panelin e Ankesave dhe Parashtresave në lidhje me votat nga Diaspora.

“Organizata GERMIN ka nisur javën e kaluar një peticion ku kërkohet pranimi i këtyre votave si realizim i së drejtës themelore për të zgjedhur. Ky peticion ka ardhur si rrjedhojë e vëzhgimit të procesit zgjedhor, më saktësisht atij të verifikimit të pakove të ardhura me postë dhe njëherish anëtarëve të diasporës të cilët na janë drejtuar për të adresuar shqetësimin e tyre”, thuhet në reagim.

Ky është reagimi i plotë i organizatës jo- qeveritare “Germin” në drejtim të Valdete Dakës:

GERMIN me shqetësim ka përcjellur deklarimet e kryetarës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Znj. Valdete Daka, mbrëmë me datë 24.10.2019, në Emisionin “Jeta në Kosovë” (min 40:00 – 55:00).

Deklarimet e ditës së djeshme nga Znj. Daka, i kemi listuar si më poshtë, sipas çështjeve të trajtuara:

  1. Sa i përket pakove me fletëvotime nga jashtë që kanë arritur pas datës 5 tetor në adresë të KQZ-së, Znj. Daka pohon se “nuk do të marrim vendim për votat nga diaspora, sepse ligji thotë që votat nga diaspora duhet të arrijnë në KQZ 24 orë para ditës së zgjedhjeve”. Mirëpo ajo arsyeton vendimin e një rasti të precedent për pranimin e votave nga jashtë, që kanë arritur pas këtij afati ligjor gjatë Zgjedhjeve Parlamentare të vitit 2017, duke thënë se “kemi marrë vendim për pranimin e këtyre votave pasi ka qenë kërkesë e partive politike…dhe sepse nuk kanë qenë shumë vota”
  2. Lidhur me ankesën tonë drejtuar PZAP-së, Znj. Daka deklarohet se “Organizata jo-qeveritare nuk mundet me u anku për votat e votuesve…sepse nuk i përfaqëson ata”, dhe vazhdon “votuesit duhet me u anku vetë në PZAP”. Gjithashtu, znj. Daka, duke iu referuar kërkesës së GERMIN, pohon se “është duke u manipuluar më këtë çështje…të gjithë janë duke u marrë me diasporën atëherë kur ju vyen”
  3. Ndërkohë, lidhur me rëndësinë e votave nga diaspora, kryetarja e KQZ-së deklaron “…jena tu e ngritë nji çashtje e cila nuk është kruciale për këto zgjedhje…kjo është çështje artificiale”
  4. Me tej, duke aluduar në vonesën e ardhjes së votave nga jashtë dhe afatit ligjor, ajo thekson se “Ne nuk mund të presim pafundësisht për votat që vijnë nga jashtë, prandaj ligji e thotë qartë”.

Deklarimi i pikës së parë është problematik për shkak që, së pari është kontradiktor në vete, sepse nëse ligji duhet respektuar atëherë nuk do të duhej të merrej vendimi për pranimin e votave pas afatit ligjor as gjatë Zgjedhjeve Parlamentare të vitit 2017. Precedenti i krijuar në vitin 2017, nënkupton se mund të tejkalohet kufizimi ligjor kur bëhet fjalë për respektimin e të drejtave themelore, në këtë rast të të drejtave zgjedhore. Së dyti, ky deklarim minimizon dhe varëson të drejtat zgjedhore të votuesve të garantuara me kushtetutë në vullnetin e partive politike në KQZ, pasi që sipas znj. Daka, arsyeja pse është marrë ai vendim atëkohë bazohet në kërkesën e partive politike. Pra, duke u bazuar në atë se çfarë thuhet, sipas Znj. Daka, janë partitë ato që vendosin se a duhet të pranohen votat nga jashtë apo jo.

Lidhur me pikën e 2-të nga deklarimet, për informacion të Znj. Daka, Organizata GERMIN ka nisur javën e kaluar një peticion ku kërkohet pranimi i këtyre votave si realizim i së drejtës themelore për të zgjedhur. Ky peticion ka ardhur si rrjedhojë e vëzhgimit të procesit zgjedhor, më saktësisht atij të verifikimit të pakove të ardhura me postë dhe njëherish anëtarëve të diasporës të cilët na janë drejtuar për të adresuar shqetësimin e tyre. Deri më tani ky peticion është nënshkruar nga mbi 2,130 qytetarë nga diaspora, dhe do t’i dorëzohet ditëve në vazhdim KQZ-së, PZAP-së dhe Institucionit të Avokatit të Popullit. Prandaj, në këtë drejtim pohimi i Znj. Daka nuk qëndron. Gjithashtu, ne i kujtojmë Znj. Daka, që Organizata GERMIN funksionon përkitazi me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe që nga viti 2014 ështe aktive në avokimin dhe krijimin e lidhjeve në mes diasporës dhe institucioneve të vendit amë, duke qenë organizata më kredibile në vend lidhur me çështjet e diasporës. Ne punojmë vazhdimisht në këtë drejtim dhe jo vetëm kur zhvillohen Zgjedhje, siç aludon kryetarja e KQZ-së. Për më tepër, GERMIN është organizata e parë e shoqërisë civile që ka monitoruar procesin e verifikimit dhe numërimit të votave nga jashtë.

Pika 3 nga deklarimet e Znj. Daka, konsiderojmë që është shumë shqetësuese. Deklarimi se çështja e votimit të qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit është çështje artificiale dhe e parëndësishme është në kundërshtim të plotë me të drejtat zgjedhore të cilat i garanton Kushtetuta e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ku shprehimisht pohohet se e drejta e votës është e garantuar, e aplikuar ndaj çdo qytetari të Republikës që ka arritur moshën 18 vjeçare. Gjithashtu, ky deklarim është në kundërshtim me parimin e barazisë së votës sipas të cilit, e drejta e votës nuk nënkupton vetëm të drejtën për të votuar por edhe të drejtën e efektit të barabartë të votës me votat e qytetarëve të tjerë të Republikës. Pra, Znj. Daka nuk mund të përcaktojë se cili votues na qenka më pak i rëndësishëm votat e të cilit ja vlen të rinumërohen e cili jo.

Në fund, vonesa në arritjen e pakove me fletëvotime nga jashtë është pikërisht njëra nga çështjet kryesore të cilën ne e kemi adresuar në kërkesat dhe ankesat tona. Nëse qëllimi i vendosjes së afatit prej 24 orëve para ditës së zgjedhjeve për pranimin e votave jashtë Kosovës është që të mos shkaktohen vonesa në procedimin dhe numërimin e votave, atëherë ky qëllim, ndonëse është legjitim, nuk e justifikon refuzimin për të numëruar pakot në diskutim. Kjo për arsye se numërimi i votave të ardhura me postë nuk ka filluar deri më 16.10.2019, më shumë se 10 ditë pas ardhjes së pakove të fundit nga totali prej 4639 pakove në adresë të KQZ-së. Kjo do të thotë se numërimi i këtyre pakove, bashkë me votat e tjera të ardhura me postë, nuk do të kishte vonuar nisjen e procesit të numërimit të këtyre të fundit. Pra argumenti se numërimi i këtyre votave do të shkaktonte vonim nuk vlen sepse këto vota kanë ardhur para datës së fillimit të numërimit të votave në QNR.

Në fund, ishte e qartë që Znj. Daka ishte e vetmuar në atë panel televiziv (i cili kishte edhe një prokurore edhe një gjykatëse tjetër) në mendimin që GERMIN nuk përfaqëson interesat e diasporës dhe si e tillë nuk mund të bëjë ankesa në emër të diasporës. Kryetarja e PZAP e cila është njëkohësisht Gjyqtare në Gjykatë Supreme, gjatë debatit e konfirmoi që nuk ka asnjë pengesë që GERMIN të parashtrojë ankesë në emër të diasporës. Kjo duhet të jetë edhe një argument shtesë pse Znj. Daka duhet të frenohet prej diferencimit të çfarëdo organizate jo-qeveritare e cila në bazë të Lligjit për Asocim të Republikës së Kosovës ka të drejtë të përfaqësojë interesa të qytetarëve të saj. Në fakt rreth 80% e ankesave të cilat PZAP i ka marrë dhe i ka aprovuar janë nga OJQ-të e ndryshme të cilat pikërisht kanë përfaqësuar interesa të qytetarëve edhe më shumë se partitë politike. Ky në fakt është roli aktiv i shoqërisë civile të cilin GERMIN po e luan aktivisht duke monitoruar një proces specifik që kurrë më parë s’është monitoruar me kaq vëmendje, votat e diasporës. Nëse Znj. Daka e ka të pamundur të na jetë mirënjohëse për vëmendjen që kemi treguar në mbikqyrjen e votës së diasporës, së paku presim prej saj të tregojë tolerancë e jo shqetësim e frustrim për rolin e GERMIN-it në këtë drejtim.