Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Organizata "Qika" për rastin në Malishevë: Nxënësja ka bërë mirë që e ka raportuar

Aktivistja nga organizata “Qika”, Leonida Molliqaj, ka komentuar reportazhin që është transmetuar në ‘Kallxo Përnime’ për dyshime për ngacmim seksual në një shkollë të Malishevës.

Ajo tha se në këtë rast ku nxënësja e ka raportuar rastin përbën një hap pozitiv.

“Është mirë që vajza ka shkuar dhe e ka raportuar këtë rast. Njësoj si edhe në rastin e Malishevës në Gjakovë ka ndodhur iu ka ndërru shkolla dhe vendi i punës, por i është lejuar të ushtrojë profesionin e mësimdhënësit ndonëse është vërtetuar se ka qenë ngacmues”, thotë ajo.

Molliqaj mendon se nuk ka kod të sjelljes sa i përket mësimdhënësve në shkollë.

“Kam përshtypjen që nuk ekziston  një formë e veçantë për kodin për sjelljen në raport me ngacmimet seksuale. Ndoshta ekziston kodi i sjelljes së përgjithshme ku mund të flasim për raportet me nxënës, por as në universitet nuk ka rregullore për ngacmim seksual, jam skeptike nëse ka në shkolla fillore”, tha ajo.