Prevallë, ilustrim

Organet e rendit dhe drejtësisë në Prizren mblidhen për ndërtimet pa leje në Prevallë

Policia në Rajonin e Prizren, Prokuroria, Inspektorët e Ministrisë, dhe drejtori i parkut nacional “Sharri”, janë mbledhur gjatë ditë së sotme për të diskutuar parandalimin e ndërtimeve pa leje në parkun nacional “Sharri”, me theks të veçantë në Prevallë.

Në bazë të këtij takimi, situata në atë pjesë është vlerësuar e qetë, përkundër gjetjeve të disa rasteve të tejkalimit të ndërtimeve pa leje.

Sipas njoftimit këto raste inspektorët e planifikimit hapësinor së bashku me rojet e parkut nacional dhe policinë i kanë të evidentuara dhe në procedurë hetimore.

Në këtë takim, kryeinspektori nga Ministria e Infrastrukturës, Bedri Halimi, ka informuar të  pranishmit për ndryshimet në emërtimet e ministrisë ku MMPH-ja i është bashkangjitur MI-së, dhe informoj për çështjet e rrënimit të objekteve pa leje në atë zonë, dhe se inspektorët e ministrisë do të trajtojnë secilin rast dhe të shikojnë tejkalimet e ndërtimeve pa leje në atë zonë.

Ndërsa, drejtori i parkut nacional “Sharri”, Bajram Kafexholli, theksoi se në kuadër të parandalimit dhe dëmtimit të zonës rojet vazhdimisht do të kryejnë kontrolle, dhe së shpejti pritet të jetë funksionale edhe kontrolli pas ndërtimit të laurës në hyrje të parkut nacional.

Në këtë takim, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala ka kërkuar përgjegjësi nga secili institucion që vepron në këtë zonë.

Në fund të këtij takimi, u vendos që të raportohet në vazhdimësi për gjendjen ne Prevallë, dhe të mbahen takime periodike për parandalimin e veprimeve që degradojnë mjedisin dhe ndërtimet pa leje.